Bregu i Fildishtë shtang Francën në miqësore, ‘Elefantët’ përmbysin ‘Gjelat’ para Botërorit
Franca është mposhtur në mënyrë surprizuese nga Bregu i Fildishtë me rezultatin 2-1 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Nantes, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës. Skuadra afrikane realizoi përmbysjen në pjesën e dytë dhe regjistroi fitoren e parë historike ndaj “Gjelave”.
Ndeshja nisi mirë për francezët, të cilët dominuan pjesën e parë dhe kaluan në avantazh falë një goli spektakolar të Rayan Cherki-t në fundin e 45 minutave të para. Mesfushori ofensiv kontrolloi bukur topin në zonë, shmangu mbrojtësin kundërshtar me një lëvizje elegante dhe realizoi me një goditje të saktë në cepin e portës.
Skuadra e Didier Deschamps dukej në kontroll total, por gjithçka ndryshoi pas pushimit. Në minutën e 53-të, Guela Doué barazoi rezultatin pas asistit të Nicolas Pepe-s, duke mposhtur Mike Maignan me një finalizim të qetë.
Mbrojtësi i Strasbourg ishte protagonisti absolut i ndeshjes, pasi pak minuta më vonë dhuroi edhe asistin për golin e fitores. Krosimi i tij u shfrytëzua nga Amad Diallo, i cili shtyu topin në rrjetë për 2-1 dhe vulosi suksesin historik të “Elefantëve”.
Franca, që vinte pas nëntë ndeshjeve pa humbje, u shfaq e pasigurt në repartin mbrojtës në pjesën e dytë, ndërsa ritmi dhe shpejtësia e afrikanëve krijuan shumë probleme për skuadrën e Deschamps. Trajneri francez kreu plot 10 zëvendësime gjatë pjesës së dytë, duke provuar alternativa të ndryshme para debutimit në Botëror.
Pavarësisht humbjes, një nga pikat pozitive për Francën ishte paraqitja e Cherki-t, i cili konfirmoi formën e mirë dhe forcoi kandidaturën për një vend titullari në ndeshjen hapëse të Botërorit ndaj Senegalit më 16 qershor.
Ndërkohë, Bregu i Fildishtë merr një sukses shumë të rëndësishëm moral para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të përballet me Ekuadorin në ndeshjen e parë të Kupës së Botës më 15 qershor.