Perez paralajmëron goditje rekord te Reali: Kam gati ofertën prej 150 milionë eurosh për një ‘yll’ të madh!
Presidenti i Realit, Florentino Perez, ka ndezur menjëherë merkaton verore me deklaratat e tij të fundit, duke paralajmëruar një transferim rekord për “Los Blancos”. Në një intervistë të gjatë për emisionin “Horizonte”, numri një i madrilenëve foli për planet e klubit në rast se rizgjidhet president.
Perez konfirmoi fillimisht tri afrime të rëndësishme për skuadrën madrilene. “Mund t’ju flas për tri blerje: Mourinho, Konaté dhe Dumfries”, deklaroi ai për gazetarin Iker Jiménez. Megjithatë, presidenti i Realit la të kuptohet se merkatoja nuk do të ndalet me kaq.
“Afrime të tjera do të ketë. Të martën do të bëj një ofertë të rëndësishme për një skuadër të madhe të Champions League për një lojtar të jashtëzakonshëm. Do të ishte shifra më e lartë e paguar ndonjëherë nga Reali për një transferim. Të paktën 150 milionë euro”, u shpreh Perez.
Më tej, presidenti madrilen dha disa detaje për profilin e futbollistit që kërkon të transferojë në “Santiago Bernabeu”. “Ai luan mes mesfushës dhe sulmit. Është një lojtar i nivelit të Cristiano Ronaldos. Nuk është lojtar i Premier League-s. Nuk po flas për Haaland, Doku apo Olise”, shtoi Perez.
Pas këtyre deklaratave kanë nisur menjëherë spekulimet për emrin e futbollistit misterioz. Sipas “Mundo Deportivo”, mes kandidatëve kryesorë për të kaluar te Reali janë Jamal Musiala, Vitinha, Joao Neves, Désiré Doué dhe Julian Alvarez. Ky i fundit vazhdon të ndiqet edhe nga Barcelona.
Deklaratat e Perez kanë rritur menjëherë entuziazmin te tifozët madrilenë, të cilët presin një tjetër merkato galaktike nga presidenti i tyre. Nëse oferta prej 150 milionë eurosh realizohet, atëherë Reali mund të thyejë rekordin historik të klubit për transferimin më të shtrenjtë.