Zyrtare/ Andoni Iraola emërohet trajner i Liverpoolit

Liverpooli ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Andoni Iraolas si trajnerin e ri të skuadrës, me spanjollin që ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin e “Anfield”.

Iraola vjen te “Reds” pas largimit të Arne Slot, i cili u shkarkua më 30 maj pas dy sezonesh në krye të ekipit. Drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i besojnë projektin e ri teknikut spanjoll, i cili ishte prej kohësh në listën e kandidatëve kryesorë.

Trajneri 42-vjeçar mbërrin në Liverpool pas një periudhe shumë të suksesshme te Bournemouth, ku për tre sezone arriti ta shndërrojë skuadrën në një prej surprizave të Premier League dhe ta çojë për herë të parë në histori në garat evropiane.

Sezoni 2025-2026 ishte i fundit për të në bregdetin jugor të Anglisë, ku Bournemouth përfundoi kampionatin në vendin e gjashtë, vetëm tre pikë pas Liverpoolit, duke reflektuar ndikimin e madh të tij në rritjen e ekipit.

Tashmë, Iraola merr drejtimin e një prej klubeve më të mëdha në Angli, me objektivin e qartë për ta rikthyer Liverpoolin në garën për trofe dhe për të ndërtuar një projekt afatgjatë të qëndrueshëm në “Anfield”.