'Kriza demografike po vihet në harresë'/ Pedagogu nga protesta: Shqipëria po humbet të rinjtë
Në protestën e organizuar kundër dhunës së ushtruar nga policia dhe mungesës së transparencës së qeverisë lidhur me zhvillimet në Zvërnec, studiuesi shqiptar Prof. Shkelzen Hasanaj mbajti një fjalë publike ku ngriti një sërë shqetësimesh mbi situatën demografike, emigracionin, raportet me diasporën dhe rolin e institucioneve kushtetuese në Shqipëri.
Duke u prezantuar si akademik shqiptar që jeton dhe punon në Romë, ku jep mësim sociologji, Hasanaj theksoi se fliste në cilësinë e studiuesit dhe qytetarit që ndjek me vëmendje zhvillimet në vend.
Gjatë fjalës së tij, ai vuri në pikëpyetje diskursin mbi investimet strategjike dhe projektet afatgjata të zhvillimit, duke e lidhur atë me krizën demografike që po përjeton Shqipëria. Sipas Hasanajt, Shqipëria po përballet me një proces të theksuar shpopullimi, ku në shumë zona numri i vdekjeve ka tejkaluar atë të lindjeve, ndërsa emigracioni i të rinjve vijon me ritme të larta. Ai theksoi se këto zhvillime ngrenë pikëpyetje mbi bazën demografike mbi të cilën po ndërtohen strategjitë afatgjata të zhvillimit.
Në pjesën përmbyllëse të fjalës së tij, studiuesi iu drejtua Presidentit të Republikës me një thirrje publike, duke kërkuar një rol më aktiv në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit publik.
Hasanaj:
Po flas sot si një akademik shqiptar që jeton dhe punon në Romë, ku jap mësim sociologji. Nuk flas në emër të askujt tjetër përveç vetes sime, por si studiues dhe si qytetar që vazhdon ta ndjekë me vëmendje dhe shqetësim zhvillimin e vendit të tij.
Gjatë këtij takimi dëgjova të flitet për investime strategjike, për zhvillim dhe për projekte që thuhet se janë menduar për të ardhmen e fëmijëve tanë. Pikërisht këtu ngrita pyetjen time: për cilët fëmijë po flasim? Sepse realiteti që shohim është ai i një vendi që po shpopullohet. Kemi prefektura, qytete dhe lagje ku numri i vdekjeve ka kaluar numrin e lindjeve. Po lindin gjithnjë e më pak fëmijë. Që nga viti 2013, më shumë se një milion të rinj kanë ikur nga Shqipëria dhe shumë të tjerë vazhdojnë të largohen. Përballë këtyre të dhënave, mendoj se është e drejtë të pyesim: për kë po ndërtojmë të ardhmen? Mbi çfarë baze demografike po mbështeten këto strategji afatgjata?
Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me diasporën dhe emigracionin e kualifikuar. Shumë prej nesh jemi larguar të rinj, kemi studiuar jashtë, jemi diplomuar, kemi ndërtuar karriera profesionale dhe familje në vende të tjera. Sot përbëjmë një kapital të rëndësishëm njohurish, përvoje dhe kompetencash që mund t’i shërbejnë Shqipërisë. Megjithatë, mungon një strategji serioze dhe afatgjatë për të krijuar kushtet e kthimit të këtij potenciali njerëzor. Për këtë arsye, besoj se vendi ka nevojë për politika dhe instrumente konkrete, madje edhe për një kuadër të veçantë ligjor, që të mundësojë dhe të nxisë kthimin e profesionistëve, studiuesve dhe akademikëve që dëshirojnë të kontribuojnë për Shqipërinë.
Një pikë tjetër që ngrita ishte kundërshtimi im ndaj çështjes së kampeve të emigrantëve. Dhe këtu bëra një pyetje të thjeshtë: çfarë borxhi i ka Shqipëria Italisë ose qeverisë italiane? Sigurisht që ekziston mirënjohja për mikpritjen që Italia u ka ofruar shumë shqiptarëve në vitet e emigracionit masiv. Por mirënjohja nuk është borxh. Shqiptarët në Itali kanë punuar, kanë paguar taksa, kanë kontribuar në ekonomi dhe në jetën shoqërore të vendit ku jetojnë. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Italisë duhet të bazohet mbi respektin reciprok dhe interesat e përbashkëta, jo mbi idenë e një detyrimi të përhershëm moral.
Dhe së fundi, iu drejtova Presidentit të Republikës me një pyetje të drejtpërdrejtë:
Ku je, President?
Ku je si garant i Kushtetutës? Ku je si garant i rendit kushtetues? Në momente kur ngrihen shqetësime të mëdha publike, kur diskutohen vendime që prekin të ardhmen e vendit, qytetarët presin të dëgjojnë zërin e institucionit që përfaqëson unitetin e shtetit. Nuk po kërkoj një qëndrim politik. Po kërkoj ushtrimin e detyrës kushtetuese. Të jesh garant i institucioneve, i ligjit dhe i interesit publik.
Këto ishin pyetjet që ngrita. Jo për polemikë, por për përgjegjësi qytetare. Sepse ta duash vendin tënd nuk do të thotë vetëm ta duartrokasësh; do të thotë edhe të kesh guximin t’i bësh pyetjet e vështira kur mendon se ato duhen bërë.