Akuzohet për përdhunimin e infermieres së Schumacherit, ish-piloti australian përfundon në gjyq
Ish-piloti australian Joey Mawson është paraqitur para drejtësisë në Zvicër, pasi akuzohet se ka përdhunuar dy herë një infermiere që ishte pjesë e ekipit mjekësor të legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.
Sipas raportimeve të mediave britanike, ngjarja e dyshuar ka ndodhur në nëntor të vitit 2019, brenda vilës së familjes Schumacher në Zvicër.
Prokuroria pretendon se infermierja ndodhej në gjendje të pavetëdijshme pas një mbrëmjeje në një klub nate në Gjenevë.
Gruaja e denoncoi rastin në vitin 2022, duke deklaruar se kishte hezituar të fliste më herët nga frika se mund të humbiste vendin e punës.
Sipas dëshmisë së saj, ajo ishte zgjuar e zhveshur dhe pa kujtime të qarta për atë që kishte ndodhur gjatë natës.
Nga ana tjetër, Mawson i ka mohuar të gjitha akuzat. Në seancën gjyqësore ai ka deklaruar se marrëdhënia ka qenë plotësisht konsensuale dhe se mes tyre kishte pasur flirt që më herët gjatë mbrëmjes.
“Gjithçka ndodhi me pëlqimin e saj”, ka deklaruar ish-piloti para gjykatës, duke kundërshtuar versionin e paraqitur nga pala akuzuese.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa gjykata do të shqyrtojë provat dhe dëshmitë e paraqitura nga të dyja palët për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.