Konsumi i kokainës në Zvicër në rritje të ndjeshme, ja profesionet ku përdoret më së shumti

Konsumi i kokainës në Zvicër është në rritje të vazhdueshme dhe është kthyer në një nga problemet më shqetësuese të lidhura me substancat ilegale në vend.

Sipas gazetës zvicerane “Blick”, përdorimi i kësaj droge ka shënuar rritje të pandalshme që nga fillimi i viteve 2000, ndërsa pas vitit 2015 trendi është përshpejtuar ndjeshëm.

Analizat e fundit të ujërave të zeza tregojnë se qytetet zvicerane, si ato të mëdha ashtu edhe më të vogla, konsumojnë mesatarisht më shumë kokainë sesa disa prej metropoleve të tjera evropiane.

Një studim i ri i organizatës “Sucht Schweiz” (Varësia në Zvicër) ka identifikuar për herë të parë edhe sektorët profesionalë ku përdorimi i kokainës është më i përhapur.

Sipas raportimeve të “Blick”, gastronomia kryeson listën, ku punonjësit e përdorin shpesh për shkak të orareve të gjata, punës gjatë natës dhe nivelit të lartë të stresit. Në vend të dytë renditet sektori i ndërtimit.

Ndër faktorët kryesorë që nxisin përdorimin e kësaj substance përmenden lodhja fizike, presioni për përmbushjen e detyrave dhe ndikimi i kolegëve.

Lista e profesioneve ku raportohet përdorimi më i lartë i kokainës përfshin gjithashtu: artin dhe argëtimin, shoferët e kamionëve, profesionet në ekonomi dhe konsulencë financiare, sektorin juridik (avokatë dhe juristë), si dhe ekspertët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Ekspertët paralajmërojnë se për një pjesë të konsiderueshme të përdoruesve, konsumi i drogës është bërë pothuajse normal gjatë orarit të punës. Grupi më i prekur është ai i moshës 18 deri në 34 vjeç.

Sipas studimit, përdoruesit e rregullt janë shpesh persona të mirëarsimuar, me formim profesional ose diplomë universitare, gjë që ka surprizuar edhe vetë studiuesit e varësisë, siç thekson “Blick”.