Ultimatum te Bajerni! E ardhmja e drejtorit sportiv varet nga merkatoja e verës
E ardhmja e drejtorit sportiv të Bajernit, Maks Eberl, vazhdon të mbetet e pasigurt.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, drejtuesit e klubit bavarez i kanë vendosur një ultimatum zyrtar, ndërsa vendimi përfundimtar për pozicionin e tij pritet të merret së shpejti.
Këshilli mbikëqyrës i Bajernit thuhet se i ka dhënë Eberlit kohë për të vazhduar punën pa presion të drejtpërdrejtë, por me një kusht të qartë: të realizojë një merkato të suksesshme dhe të ndërtojë një skuadër që përmbush objektivat sportive dhe financiare të klubit.
Sipas burimeve pranë klubit, gjatë kësaj jave pritet të zhvillohet një takim mes anëtarëve të këshillit mbikëqyrës, drejtorit sportiv Maks Eberl dhe shefit ekzekutiv Jan-Christian Dreesen.
Në qendër të diskutimeve do të jenë lëvizjet e mundshme në merkato dhe emrat që Bajerni po synon për sezonin e ardhshëm.
Pas një sezoni me pritshmëri të larta, drejtuesit e kampionëve gjermanë kërkojnë rezultate konkrete në tregun e transferimeve.
Për Eberlin, muajt e verës mund të jenë vendimtarë jo vetëm për të ardhmen e skuadrës, por edhe për karrierën e tij në "Allianz Arena".
Nëse nuk arrin të bindë me përforcimet dhe strategjinë e tij, largimi nga posti mund të bëhet një skenar real në javët e ardhshme.