Jose Mourinho padit Turqinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Trajneri portugez, Jose Mourinho ka ndërmarrë një hap të pazakontë ligjor, duke paditur Turqinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për sanksionet disiplinore që iu shqiptuan gjatë kohës sa drejtonte Fenerbahçen.

Sipas mediave turke, Gjykata në Strasburg e ka pranuar kërkesën për shqyrtim dhe i ka kërkuar qeverisë turke të japë sqarime brenda gjashtë muajve.

Çështja lidhet me dënimet që Mourinho mori pas deklaratave të tij pas një ndeshjeje ndaj Trabzonsporit në nëntor të vitit 2024.

Në atë kohë, ai u pezullua, u përjashtua nga dhoma e zhveshjes dhe u gjobit nga organet disiplinore të Federatës Turke të Futbollit.

Portugezi pretendon se organet disiplinore nuk kanë qenë të pavarura dhe se dënimi ndaj tij ka cenuar të drejtën e lirisë së shprehjes.

Ai gjithashtu argumenton se nuk iu dorëzua në mënyrë të rregullt vendimi i arsyetuar, duke i mohuar të drejtën për një proces të drejtë.

Megjithëse pranimi i padisë nuk garanton fitore për Mourinhon, procedura tashmë ka hyrë në fazën zyrtare të shqyrtimit.

Mourinho drejtoi Fenerbahçen nga viti 2024 deri në verën e vitit 2025, duke regjistruar 62 ndeshje me një mesatare prej 2.02 pikësh për takim.