Shtetet e BE-së kërkojnë rregulla më të ashpra për refuzimin e vizave turistike për rusët
Një numër shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian po i bëjnë trysni Komisionit Evropian ta sjellë një legjislacion, i cili do ta bënte më të lehtë refuzimin e vizave turistike për qytetarët rusë, për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.
Suedia do ta paraqesë këtë çështje për diskutim - me mbështetjen e Republikës Çeke, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Holandës, si dhe të vendeve të zonës Shengen që nuk janë pjesë e BE-së, Islandës dhe Norvegjisë – kur ministrat e Brendshëm të bllokut të mblidhen në Luksemburg për takimin e tyre të rregullt mujor më 4 qershor.
Para takimit, këto vende i dërguan gjithashtu një letër Komisionit Evropian ku shprehën shqetësimet e tyre.
Sipas tekstit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL), është “thellësisht shqetësuese të shohësh një numër në rritje turistësh rusë që shijojnë pushimet në plazhet dhe resortet evropiane, ndërkohë që raketat dhe dronët vazhdojnë t’i godasin civilët dhe infrastrukturën civile në Ukrainë”.
“Kjo është edhe më e dhimbshme duke pasur parasysh se mijëra fëmijë ukrainas të dëbuar në mënyrë të paligjshme dhe të dërguar me forcë nuk mund të kthehen te familjet e tyre”, thuhet në tekst.
Kjo çështje po shtrohet në një kohë kur statistikat e BE-së, të cilat i ka parë REL-i, tregojnë një rritje të numrit të vizave turistike të zonës Shengen të lëshuara për rusët gjatë vitit 2025, duke arritur në gati 480.000.
Ky është numri më i lartë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Nuk pritet që legjislacioni i ri të miratohet menjëherë, dhe kjo do të thotë se nuk ka gjasa të ketë ndryshime para sezonit veror, kur lëshohet shumica e vizave turistike.
Në vend të kësaj, shpresohet që një propozim të paraqitet më vonë gjatë këtij viti dhe të miratohet në vitin 2027.
Megjithatë, kjo nuk do të jetë aspak e lehtë.
Tri shtetet e BE-së që lëshojnë më së shumti viza turistike për rusët janë Franca, Italia dhe Spanja. Në këto vende turizmi kontribuon ndjeshëm në ekonomitë kombëtare.
Megjithëse një ligj i mundshëm i BE-së kërkon vetëm shumicë të thjeshtë, pra 55 për qind të shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të bllokut, pesha e madhe e këtyre tri vendeve së bashku do të thotë se atyre u nevojitet vetëm edhe një shtet tjetër anëtar për ta bllokuar çfarëdo mase të propozuar.
Një alternativë mund të jetë paraqitja e një legjislacioni të përgjithshëm që do t’u lejonte shteteve anëtare – të cilat kanë autonomi të gjerë në çështjet kombëtare – të refuzojnë viza turistike për qytetarët e çdo vendi që shkel të drejtat e njeriut.
Me fjalë të tjera, kjo masë nuk do ta përmendte ose veçonte në mënyrë specifike Rusinë.
Deri tani, Komisioni Evropian ka nxjerrë vetëm udhëzime për shtetet anëtare lidhur me kufizimin e udhëtimeve joesenciale drejt BE-së nga qytetarët rusë.
Vendet fqinje me Rusinë, si Estonia, Finlanda, Letonia dhe Lituania, i kanë përdorur tashmë këto udhëzime për të ndaluar pothuajse plotësisht lëshimin e vizave për rusët, me përjashtim të vizave humanitare për gazetarë dhe politikanë opozitarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe persona me nevoja të veçanta mjekësore.
Pikërisht këto udhëzime vendet nënshkruese të dokumentit shpresojnë t’i shndërrojnë në diçka më të qëndrueshme dhe më të unifikuar, siç do të ishte një legjislacion i vlefshëm në gjithë BE-në.
“Zbatimi i pabarabartë i këtyre udhëzimeve nga shtetet anëtare lë shumë për të dëshiruar, pasi i mungojnë si solidariteti ashtu edhe qëndrueshmëria. Ai gjithashtu rrezikon të vendosë shtetet anëtare në pozita të pabarabarta ekonomike”, thuhet në dokument.
Dokumenti shton gjithashtu se “një situatë në të cilën shtetet anëtare zbatojnë qasje thellësisht të ndryshme për lëshimin e vizave për udhëtime joesenciale, jo vetëm që nxit të ashtuquajturin ‘turizëm vizash’, por përbën edhe rrezik sigurie për gjithë zonën Shengen”.
Në vjeshtën e vitit 2022, BE-ja e vështirësoi gjithashtu hyrjen e rusëve në bllok duke pezulluar për një kohë të pacaktuar marrëveshjen për lehtësimin e vizave midis Brukselit dhe Moskës, e cila kishte vendosur rregullat e udhëtimit që nga viti 2007.
Ky pezullim nënkuptonte se nuk duhej të lëshoheshin më viza me hyrje të shumëfishta, se tarifa e vizës u rrit nga rreth 35 euro në 90 euro dhe se u kërkuan më shumë dokumente, si dhe u zgjat koha e shqyrtimit të aplikimeve.
Në një lëvizje të veçantë, por të lidhur me këtë çështje, Estonia po u bën thirrje shteteve të tjera anëtare të BE-së që të përpiqen t’ua ndalojnë hyrjen në zonën Shengen veteranëve rusë të luftës në Ukrainë, duke hartuar lista të gjera personash që do t’i nënshtroheshin ndalimeve të hyrjes në gjithë Evropën./ REL/