SYRI TV/ Shkodër, Samrishi i Sipërm në errësirë, shkak mungesa e investimeve në zonë
Rrjeti i amortizuar i shpërndarjes së energjisë elektrike në fshatin Samrish i Sipërm, në njësinë Dajç të Bashkisë Shkodër, po shkakton ndërprerje të shpeshta të energjisë. Banorët thonë se kërkesat e tyre për investime dhe ndërhyrje kanë mbetur pa përgjigje, ndërsa situata, sipas tyre, po sjell dëme ekonomike për bizneset dhe vështirësi për familjet, të cilat mbesin për orë të tëra pa energji elektrike.
Rrjeti i amortizuar dhe tepër i dobët i shpërndarjes së energjisë elektrike, për të cilin prej vitesh nuk është kryer asnjë investim serioz, është kthyer në një shqetësim tepër të madh për banorët e fshatit Samrish i Sipërm, në njësinë Dajç të Bashkisë Shkodër. Banorët e zonës kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke kërkuar ndërhyrje dhe investime konkrete.
Por kërkesat e tyre duket se kanë rënë në vesh të shurdhër. Mungesa e energjisë elektrike po sjell dëme të konsiderueshme për bizneset e serave dhe kultivuesit e bimëve dekorative, të cilët funksionojnë përmes sistemeve të koordinuara dhe të automatizuara që varen plotësisht nga energjia elektrike.
Përveç humbjeve ekonomike, kjo situatë krijon vështirësi edhe për familjet e zonës, të cilat mbesin për disa orë pa energji elektrike.