SYRI TV/ Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, mosha mediane arrin BE-në për herë të parë

Shqipëria po përballet me një plakje të përshpejtuar të popullsisë, pasi mosha mediane arriti në 45 vjeç në vitin 2026, duke u rritur me 10.8 vite që nga viti 2014 dhe me ritme rreth 4.5 herë më të shpejta se mesatarja e Bashkimit Europian. Ky fenomen, i nxitur nga rënia e lindshmërisë dhe emigracioni masiv i të rinjve, pritet të ushtrojë presion të madh mbi tregun e punës, skemat e pensioneve dhe sistemin shëndetësor.

Shqipëria po përjeton një tranzicion demografik të paprecedentë, ku ritmet e plakjes së popullsisë po tejkalojnë madje edhe parashikimet më pesimiste. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se mosha mediane e popullsisë arriti në 45 vjeç më 1 janar 2026, duke u rritur me 7 muaj vetëm gjatë vitit të fundit. Kjo do të thotë se sot gjysma e shqiptarëve janë mbi 45 vjeç dhe gjysma nën këtë moshë.

Nga viti 2014 deri në vitin 2026, mosha mediane në Shqipëri është rritur me 10.8 vite, ndërsa në Bashkimin Europian rritja ka qenë vetëm 2.4 vite. Sipas të dhënave, Shqipëria është plakur rreth 4.5 herë më shpejt se BE-ja gjatë dekadës së fundit. Vetëm në tre vitet e fundit, mosha mediane është rritur nga 43.4 vjeç në vitin 2024, në 44.3 vjeç në vitin 2025 dhe në 45 vjeç në vitin 2026, duke e afruar vendin me nivelin mesatar të Bashkimit Europian, i cili në vitin 2025 ishte 44.9 vjeç.

Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me rënien e fortë të lindshmërisë dhe emigracionin e vazhdueshëm, që prek kryesisht të rinjtë dhe moshat riprodhuese. Si pasojë, struktura e popullsisë po zhvendoset me shpejtësi drejt grupmoshave më të vjetra. Pasojat pritet të jenë të ndjeshme në tregun e punës, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe rritjes së moshës mesatare të fuqisë punëtore. Në të njëjtën kohë, skemat e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore do të përballen me presion financiar në rritje, ndërsa sistemi shëndetësor do të kërkojë më shumë investime për kujdesin ndaj të moshuarve dhe trajtimin e sëmundjeve kronike.