‘Polici u dërgua pa antiplumb ne aksion’, Noka: Ka plan për të shkatërruar protestat nga agjendat e majta apo ‘Soros’
Një denoncim i fortë ka hedhur dritë mbi prapaskenat e errëta të institucioneve shtetërore dhe skenarët për manipulimin e protestave qytetare. Akuzat e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të PD Flamur Noka, tregojnë për një papërgjegjshmëri totale brenda Policisë së Shtetit, e cila ka çuar në pasoja tragjike, duke përfshirë vrasjen e një efektivi dhe plagosjen e një tjetri në Korçë.
Sipas deputetit ngjarja e rëndë ka ardhur si pasojë e urdhrave të drejtorit të policisë së Korçës, i cili është etiketuar si "rrëmbyes" për shkak të ngjarjeve të lidhura me të kaluarën e tij. Pretendohet se efektivë të thjeshtë, të pastërvitur dhe të papajisur me antiplumb, u dërguan për të kapur një person me rrezikshmëri të lartë.
Nga ana tjetër, një zhvillim po aq shqetësues lidhet me përpjekjet e fshehta për të sabotuar lëvizjet qytetare. Pas një fushate keqinformimi në rrjet, Noka ka sqaruar se termi "mercenarë" nuk i drejtohet qytetarëve të thjeshtë që dalin në sheshe. Në shënjestër janë individë të infiltruar nga pushteti, të lidhur me agjendat e majta ekstreme dhe organizata si "European Greens" apo fondacioni Soros. Këta agjentë provokatorë hyjnë si "kuaj Troje" mes protestuesve për të devijuar kauzën, duke mbrojtur regjimin dhe duke u përpjekur të kanalizojnë revoltën kundër opozitës apo investimeve të huaja.
Flamur Noka: Para se të filloj, dua të them dy fjalë për ngjarjen e rëndë që u pasua me vrasjen e një polici dhe me plagosjen e një tjetri. Është papërgjegjshmëri, në rastin më të mirë, totale e institucioneve shtetërore. Drejtori i policisë Korçë, Vilson Bala rrëmbyesi, e cilësoj Vilson Bala rrëmbyesi sepse prandaj është emëruar drejtor, për merita se rrëmbeu ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e këtij vendi, ka çuar para një personi me rrezikshmëri të lartë, i dënuar disa herë, dhe dihej që ishte i armatosur dhe me mburojë politike.
Ka çuar policë të thjeshtë, të pastërvitur, joprofesionistë për raste të tilla, të papajisur me pajisjet e nevojshme në rastet e operacioneve, dhe mbi të gjitha të shkosh të kapësh, të neutralizosh një person vrasës apo trafikant me rrezikshmëri të lartë pa antiplumb. Viktima është viktimë më shumë e Vilson Balës dhe e banditëve që janë në krye të Policisë së Shtetit, sesa e atij banditit që e vrau. Kjo është, ndaj s'mund të rrija pa e përmendur këtë gjë. Gjëja e dytë që doja të sqaroja është për një status timin të djeshëm që u bë viral me keqinterpretime nga një portahale që paguhet me paratë e këtij pushteti, vetëm për dezinformim. Unë në reagimin tim dje e kam pasur të qartë dhe të përcaktuar, madje e kam pasur të shoqëruar edhe me foto. Me foto, për kë e kisha unë. I quajta mercenarë të Sorosit, po. I kam quajtur këta marksistët. Dihet, sorosistët, që janë pjesë e administratës shtetërore. I kam quajtur edhe këta të tjerët të këtij, që nuk dihet çfarë është as i majtë as i djathtë, që rrinë krah tyre atje. Pra i kam quajtur të gjithë këta që luajnë rolin e opozitarit të opozitës dhe që u futën në protestë për ta kanalizuar dhe drejtuar protestën kundër opozitës. Këta janë birbo, majtistë, ekstremistë. Këta janë, nuk dinë as vetë se çfarë janë. Këta vetë nuk kanë këllqe të ngrenë kauza, sepse e dinë që nuk i ndjek askush. Këta hyjnë si kuaj Troje për të vjedhur kauza. Nuk është hera e parë.
A ishin po këta, së bashku me Lali vjedhësin dhe me sorosistë e majtistë të tjerë të pafund, që shkatërruan protestën studentore duke u futur brenda tyre. Të dashur protestues, të dashur qytetarë, kujtojeni një çikë, besoj se e mbani mend, ishin këta që shkatërruan protestën studentore. Ndaj ju lutem, i pështyni këta. Ju protestues keni kauzën tuaj. Askush nuk duhet t'ju përzihet tek kauza juaj. I nxirrni jashtë këta mercenarë të regjimit, sepse këta janë opozitarë të opozitës dhe këta po ia bëjnë pis protestën juve. Këta duan t'ju vjedhin protestën, këta duan që t'jua shkatërrojnë. Gjithashtu në statusin tim dje, me shkrim dhe me foto, sulmova “European Greens”, si Soros axhenda. E kishin të qartë, jo se ju digjte për Zvërnecin as për flamingot, e kishin me kushtin e tyre ata. Pse? Është axhenda e Sorosit. Për të gjitha këto, për të gjithë ata pjesë edhe të administratës që u futën mes protestuesve me idenë se po i mbështesin, por me qëllime për të kanalizuar protestën dhe për ta menaxhuar atë jo më kundër regjimit, por kundër investimeve të huaja, edhe kundër opozitës. Qëllimi i tyre dihet, devijim dhe shkatërrim. Atëherë a kam të drejtë unë t'i quaj këta mercenarë? Të tillë janë. Për këta e kisha, pra, po kurrë unë nuk mund të artikuloj termin mercenarë për protestuesit. Pse? Jam një protestues i përhershëm, kam 35 vjet që mund të jem nga protestuesit dhe organizatorët e protestave më të shumta dhe më të mëdha që ka njohur ky vend. Kam një jetë mes protestash. Kështu që unë nuk mundem t'i akuzoj ata...