Shehu – Ballës: Në komunizëm luftuam për të mbrojtur fëmijët e familjen, të mos kishim terapi hormonale

Deklarata e deputetit të PD, Tritan Shehu ka trazuar sërish ujërat politike, duke sjellë një përplasje të hapur mbi të shkuarën dhe vlerat e shoqërisë së sotme.

Gjatë fjalës së tij për procedurë në Kuvend, Shehu ironizoi dhe vuri në dyshim vendndodhjen dhe kontributin e Taulant Ballës, gjatë lëvizjeve historike për rrëzimin e sistemit komunist

Por diskutimi kaloi nga historia te kauzat delikate sociale, ku Shehu risolli në vëmendje udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale falas për adoleshentët në QSUNT.

Sipas tij, beteja u bë në thelb për mbrojtjen e vlerave të shoqërisë njerëzore, me në qendër familjen dhe fëmijët.

Nuk kam ndërmend t’u përgjigjem atyre që thotë Taulanti dhe realisht unë nuk e di ku ka qenë Taulanti në ato momente që u ngritëm për të përmbysur komunizmin. Këtë nuk e di dhe as më duhet, dhe as më duhet ta di, por jemi krenarë që kemi qenë pikërisht në ato ditë, në ato orë, në ato vijat e para të luftës kundër komunizmit.

Nga universiteti, nga spitali, nga do që kemi ardhë. Këto janë vlerat. Dhe ato vlera ne i luftuam jo thjesht për lirinë. Jo thjesht për pronën private, jo vetëm për tregun. Por luftuam dhe për vlerat thelbësore të shoqërisë njerëzore. Për familjen. Për fëmijët. Luftuam pikërisht që mbi fëmijët mos realizohen të tilla terapi hormonale që në moshën 14 vjeçare dhe të pastaj të rutinizohen në moshën 16 vjeçare për devijimin e seksit.

Ne luftuam pikërisht që mos ndodhnin të tilla gjëra. Ne luftuam pikërisht që fëmijët shqiptarë, që shoqëria shqiptare të ruajë vlerat e saj, familjen e saj të përbërë nga burrë dhe grua dhe me shpresë të Zotit nesër fëmijët. Të ruajë atë që është më e shenjtë. Mos keqpërdoret.