Bayer Leverkusen prezanton trajnerin e ri, spanjolli Carles Martínez firmos deri në vitin 2028
Bayer Leverkusen ka zyrtarizuar emërimin e trajnerit të ri për sezonet e ardhshme. Klubi gjerman i ka besuar pankinën teknikut spanjoll Carles Martínez Novell.
42-vjeçari katalanas ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor 2028, duke nisur kështu një aventurë të re në Bundesligë pas eksperiencës së tij te Toulouse.
Martínez fillimisht punoi si ndihmëstrajner te skuadra franceze në sezonin 2022/23, ku kontribuoi në fitimin e Kupës së Francës, ndërsa më pas mori drejtimin e ekipit si trajner i parë nga sezoni 2023/24.
Përpara zgjedhjes së spanjollit, Bayer Leverkuseni kishte shqyrtuar edhe alternativa të tjera si Oliver Glasner dhe Andoni Iraola, emra që ishin lidhur edhe me Milani.
Drejtori sportiv i Leverkusenit, Simon Rolfes, shpjegoi arsyet e zgjedhjes së trajnerit të ri.
“Ne analizuam me kujdes se cili trajner ishte më i përshtatshmi për fazën e ardhshme të rritjes së klubit. Martínez ka bërë punë shumë të mirë me lojtarët e rinj dhe ka ndërtuar skuadra kompakte me filozofi moderne loje. Jemi të bindur se ai do t’i japë impulsin e duhur projektit tonë sportiv”, deklaroi Rolfes.
Përveç eksperiencës në Francë, Martínez ka punuar më herët edhe në akademinë e Barcelonës, çka konsiderohet një tjetër pikë e fortë në profilin e tij si trajner.