Korçë, një polic i vrarë dhe një polic i plagosur! Shkuan të arrestonin ish komandon e dënuar për drogë

Efektivi i policisë Enea Mekolli, 34 vjeç, ka mbetur i vrarë, ndërsa kolegu i tij Edison Adri ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, ish-komando, që mbeti i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit. Operacioni u zhvillua në fshatin Lozhan të Korçës në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje. Dy të plagosurit janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Violand Braçellari rezulton me precedentë penalë, i dënuar për kultivim kanabisi.

SYRI TV

Një operacion për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë në fshatin Lozhan të Korçës ka agravuar në shkëmbim zjarri, ku ka mbetur i vrarë një efektiv policie, ka mbetur i plagosur kolegu i tij, si dhe vetë agresori që ishte objektiv i operacionit të strukturave ligjzbatuese.

Objektivi i operacionit të policisë ishte 43-vjeçari Violand Braçellari, ish-komando, i dënuar me 9 vjet burg për kultivim kanabisi në vitin 2017.

43-vjeçari strehohej prej kohësh në një stan në fshatin Lozhan, teksa në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje policia rrethoi vendin ku ai ndodhej.

Në momentin që iu bë thirrja të dorëzohej, ai hapi zjarr me kallashnikov, teksa në këto çaste u qëllua për vdekje efektivi i policisë Enea Mekolli, vetëm 34 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti kolegu i tij Edison Adri, që mori një plumb pranë gojës dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Ndërkohë, edhe policia u përgjigj me zjarr, ku nga të shtënat Violand Braçellari mori plagë në dorë dhe në krah, dhe në këtë moment u bë edhe arrestimi i tij.

Efektivi i plagosur Edison Adri është dërguar në spitalin e Korçës dhe me helikopter u nis drejt Spitalit të Traumës, ku ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha.

Ndërkohë, drejt Tiranës u nis me autoambulancë edhe 43-vjeçari Violand Braçellari, teksa në këto pamje shihen çastet kur ndaj tij nuk mungon edhe revolta e efektivëve, të cilëve u mbeti i vrarë kolegu 34-vjeçar në operacion.

Violand Braçellari nuk ka shprehur asnjë pendesë për krimin e kryer dhe ka qenë i qetë kur ka mbërritur në spital.

Krimi i rëndë ka tronditur armatën e Policisë së Shtetit dhe banorët e zonës, të cilët prej kohësh kishin shprehur shqetësime për praninë e 43-vjeçarit në fshatin Lozhan.

Syri TV mëson se RENEA ka zhvilluar disa operacione për kapjen e tij, por që kanë dështuar.

Violand Braçellari konsiderohej nga autoritetet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në vitin 2017 ai ishte dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh.

Vendimi u la në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë, me një vendim të marrë në janar 2024, por ai asnjëherë nuk e kreu dënimin.

Ndërkohë, në vitin 2024 Prokuroria e Korçës e mori të pandehur për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” ndaj një shtetasi, teksa në janar 2026, Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për seancën gjyqësore, por nuk u gjet në adresë.

Nuk ka informacion nëse ai sërish i ishte kthyer veprimtarisë së kultivimit të kanabisit, në një kohë që Prokuroria dhe Policia po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.