Ndërron jetë legjenda e Chelsea-t, rekordin e tij e theu Frank Lampard
Bobby Tambling, një nga emrat më legjendarë në historinë e Chelsea, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Ish-sulmuesi anglez, i cili vuante nga demenca, mbeti për dekada golashënuesi më i mirë në historinë e klubit londinez, me 202 gola të realizuar në 370 ndeshje mes viteve 1959 dhe 1970. Rekordi i tij historik u thye vetëm në vitin 2013 nga Frank Lampard.
Tambling e nisi në mënyrë fantastike aventurën e tij me Chelsea-n, duke shënuar që në debutim në moshën 17-vjeçare. Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij ishte triumfi në Kupën e Ligës angleze në vitin 1965, ku ai realizoi edhe gol në finale kundër Leicester City-t.
Ai gjithashtu shënoi në finalen e Kupës së Anglisë të vitit 1967 ndaj Tottenham Hotspur, sfidë që Chelsea e humbi. Në karrierën e tij regjistroi edhe tri paraqitje me Anglinë.
Pas largimit nga Chelsea në vitin 1970, Tambling iu bashkua Crystal Palace, ndërsa më pas e mbylli karrierën në Irlandë, ku jetoi për shumë vite dhe drejtoi skuadra lokale si Cork Celtic, Cork City dhe Crosshaven.
Chelsea reagoi me një mesazh prekës për humbjen e ish-sulmuesit të tij legjendar.
“Një nga lojtarët më legjendarë të klubit tonë është larguar. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të Bobby Tambling në këtë moment të vështirë”, shkruhej në reagimin e klubit londinez.
Edhe klubi irlandez Crosshaven e cilësoi Tambling si “një legjendë të vërtetë të Chelsea-t dhe një njeri të jashtëzakonshëm”, duke vlerësuar karakterin dhe dashurinë e tij të madhe për futbollin dhe Stamford Bridge.