Real Madridi njofton zyrtarisht Benfikën për Mourinho-n, gati 15 milionë euro për trajnerin portugez
Real Madridi ka bërë lëvizjen zyrtare për José Mourinho, duke njoftuar me shkrim Benfica-n për synimin e transferimit të trajnerit portugez.
Sipas raportimeve nga Portugalia, klubi madrilen u ka dhënë garanci të plota drejtuesve të Benfica-s lidhur me operacionin, ndërsa në dokumentin zyrtar përfshihet edhe pagesa e klauzolës së largimit të Mourinho-s.
Bëhet fjalë për një shumë prej 15 milionë eurosh, që Real Madridi është i gatshëm ta paguajë për trajnerin 63-vjeçar, i cili aktualisht drejton Benfica-n. Mourinho pritet të përfitojë një pagë prej rreth 7 milionë eurosh neto në sezon, ndërsa kostoja totale për klubin portugez do të ishte shumë më e lartë.
Megjithatë, marrëveshja lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet presidenciale të së dielës te Real Madrid. Aktualisht, Florentino Pérez e ka prezantuar Mourinho-n si trajnerin e tij për sezonin 2026/27 në rast fitoreje në zgjedhje.
Nga ana tjetër, kandidati rival, Enrique Riquelme, nuk e mbështet rikthimin e Mourinho-s në stolin madrilen, çka mund të ndryshojë gjithë skenarin nëse ai fiton zgjedhjet.
Ndërkohë, gjatë së mërkurës qarkulloi edhe një video ku Mourinho shfaqej me fanellën e Real Madridit në mbështetje të Florentino Pérez, por më pas u konfirmua se materiali ishte krijuar me Inteligjencë Artificiale.
Pavarësisht kësaj, Real Madridi duket se ka ndërmarrë hapa konkretë për rikthimin e trajnerit portugez në “Santiago Bernabeu”, ndërsa tani gjithçka pritet të varet nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në klubin madrilen.