Delegimi i interpelancës/ Balliu: Rama s’mund të delegojë urdhra ekzekutivë, duhet të vijë në Parlament!
Një seancë e tensionuar dhe e mbushur me akuza të rënda është këtë të enjte në Kuvend, ku debati për procedurat parlamentare ka bërë që deputeti i PD, Klevis Balliu të bëjë në denoncime tronditëse për sigurinë kombëtare dhe jetën e efektivëve të policisë.
Gjithçka nisi kur zëvendëskryetarja e Kuvendit ia delegoi interpelancën, nga kryeministri tek ministri i shtetit, një lëvizje që u kundërshtua ashpër nga opozita.
Deputeti Klevis Balliu, i cili kishte kërkuar interpelancën për çështje të emigracionit ilegal, trafikut të qenieve njerëzore dhe dobësimit të kontrollit kufitar, akuzoi maxhorancën për shkelje të Kushtetutës.
Sipas tij, kryeministri nuk mund të delegojë përgjegjësitë e tij në parlament përmes urdhrave ekzekutivë, por është i detyruar të përballet vetë me ligjvënësit.
Megjithatë, debati procedural shpejt i la vendin ngjarjes së rëndë në Maliq, atë të vrasjes së efektivëve të policisë në krye të detyrës.
Balliu ngriti akuza të forta ndaj mënyrës sesi menaxhohen operacionet policore kundër kriminelëve me rrezikshmëri të lartë, ku për kapjen e individi, institucionet dërguan forcat e thjeshta "Shqiponja", një vendim që sipas deputetit, përfundoi fatalisht me humbjen e jetës së një polici.
E para, zonja kryetare, në parlament duhet t'i referohesh një neni, një ligji, një diçkaje kur bëhet fjalë për procedurë, për ligj, për kushtetutë. Ju pyetën kolegët, kryeministri duhet të vijë këtu të bëjë interpelancën, dhe nuk ka asnjë nen, asnjë ligj që ju të përmendni që ai mund ta delegojë. Çfarë të delegojë ai? Ai mund të delegojë urdhra ekzekutivë në përgjithësi kur është në ekzekutiv, po jo këtu. Këtu në parlament do të vijë të bëjë interpelancën.
Këto nuk i themi ne, janë ligje, janë kushtetutë, kanë qenë këtu. Nuk i kemi sjellë ne, kanë qenë këtu kur erdhëm. Duhet t'i kërkoni ju llogari atij që hajde dhe bëj detyrën tënde. E dyta, në lidhje me këtë interpelancë që ka të bëjë direkt me sigurinë kombëtare. Ka të bëjë direkt me sigurinë e jetës, me sigurinë e çdo qyteti, me sigurinë e të gjithë shtetit, me sigurinë e kufijve tanë.
Në një ditë si kjo, kur një efektiv policie humb jetën për shkak se sot delegohen operacionet me udhëzime dhe me urdhra, operacione që bëhen për njerëz të rrezikshmërisë së lartë. Zotëria kishte marrë zvarrë me kalë një qytetar. Një kriminel, një monstër. Dhe ju atje çoni forcat Shqiponja. Ndërkohë, siç tha me të drejtë zoti Këlliçi, tek protestuesit çoni forca speciale, çoni autoblinda, antitanke, çfarë nuk çoni. Kurse atje çoni policinë, mbase s'i çuat policinë rrugore.
Dhe çfarë ndodh? Humb një jetë. Bëhet një dëshmor tjetër i policisë. Një nga ata familjet e të cilëve ju nuk kujdeseni. Një nga ata të cilët ju refuzuat të votoni projektligjin që sollëm në parlament që paratë e konfiskuara të shkonin për familjet e dëshmorëve të rënë në detyrë në policinë e shtetit. Që ju e bëtë këtu, në këtë sallë. Dhe vini pastaj na shisni dëngla. Se e keni merakun ju... për pazaret e fëlliqura të këtij pushteti me trafikantët e drogës dhe me kriminelët, humbin jetën policët e thjeshtë sot.