Fanella historike e Pelé-së del në ankand, pritet garë rekord për simbolin e lindjes së një legjende
Një nga objektet më ikonike të historisë së futbollit do të dalë së shpejti në ankand. Shtëpia e njohur e ankandeve Sotheby’s ka njoftuar se në korrik, në Nju Jork, do të shitet fanella e veshur nga Pelé në finalen e Botërorit 1958.
Objekti, i konsideruar si një relike historike, vlerësohet rreth 6 milionë dollarë dhe mund të bëhet një nga fanellat më të shtrenjta të shitura ndonjëherë në botën e sportit. Sipas Sotheby’s, nuk bëhet fjalë për një fanellë të zakonshme, por për simbolin e natës kur nisi legjenda e futbollit botëror.
Fanella është ruajtur për më shumë se 60 vite dhe pritet të ngjallë interes të madh mes koleksionistëve nga e gjithë bota, duke krijuar një garë të fortë në ankandin prestigjioz.
Më 29 qershor 1958 në Stokholm, vetëm 17-vjeç, Pelé udhëhoqi Brazilin drejt titullit të parë botëror, duke realizuar një dopietë në finalen ndaj Suedisë dhe duke u bërë njëkohësisht lojtari më i ri që shënon në një finale Botërori.
Ankandi “The Beautiful Game”, që zhvillohet nga 29 qershori deri më 16 korrik, synon të sfidojë rekordin e mëparshëm të një tjetër fanellë historike, atë të Diego Armando Maradonës, e cila u shit për 9.3 milionë dollarë në vitin 2022.
Në të njëjtin ankand do të përfshihet edhe një figurinë e rrallë e Pelé-së nga viti 1958, me një vlerë të vlerësuar mbi 150 mijë dollarë, duke e kthyer këtë event në një nga më të rëndësishmit në tregun e relikeve sportive.