SPAK jep pretencën për dosjen 'Revanshi', kërkohen deri në 98 vite burg për të pandehurit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) shpalli pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, ku të pandehur janë Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja, Durim Bami dhe Oltion Zefi.

Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, prokurori Alfred Shehu paraqiti kërkesën për dënimin e secilit prej të pandehurve, duke llogaritur edhe përfitimin nga gjykimi i shkurtuar, raporton gazetari Fatjon Gjinaj për Syri Tv.

SPAK kërkoi dënimin me 10 vite burg për Aldo Avdylin, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 6 vite e 8 muaj burg. Për Edson Jozwik u kërkuan 15 vite burg, ose 10 vite me gjykim të shkurtuar.

Për Oltion Zefin, Prokuroria kërkoi 20 vite burg, që reduktohen në 13 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar, ndërsa për Henerigert Mitrin u kërkuan 9 vite burg, ose 6 vite pas përfitimit të uljes së dënimit.

Ndërkohë, për Altin Morinën u kërkuan 13 vite e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar zbresin në 9 vite. Për Jozi Krajën, SPAK kërkoi 10 vite burg, ose 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.

Dënimi më i lartë i kërkuar nga Prokuroria është ai për Durim Bamin, për të cilin u kërkuan 21 vite burg. Në rast të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 14 vite burg.

Pritet që në vijim të procesit gjyqësor të paraqiten qëndrimet e mbrojtjes, përpara se gjykata të shpallë vendimin përfundimtar.