Hiqet totalisht gardhi rrethues në Zvërnec, shikoni pamjet
Pas heqjes së telave me gjemba, sot hiqet totalisht gardhi rrethues i Zvërnecit dhe PortoNovës.
Syri Tv sjell pamjet e filmuara sot.
Në fund të prillit, kompania vendosi të rrethonte zonën e mbrojtur duke përdorur si shkresë një letër nga AZHT, e cila e njoftonte për miratimin e një leje punimesh kantieri ende të pafirmosur.
Rrethimi, i cili u bë fillimisht edhe me tela me gjemba, solli protesta nga aktivistë të mjedisit dhe banorë të zonës që pretendojnë toka brenda tij.
Në 30 maj, banorë e Zvërnecit – një pjesë e të cilëve jetojnë prej vitesh në emigracion në Greqi – dhe aktivistë, u përplasën me punonjës të një kompanie sigurie të punësuar nga zhvilluesi.
Dhunimi i i një prej banorëve nga rojet private të sigurisë dhe përdorimi i lakrimogjenëve kundër protestuesve – në sy të Policisë së Shtetit që qëndroi apatike, shërbyen si shkëndijë për protesta masive në Tiranë, të cilat kanë tërhequr dhjetra mijëra qytetarë.
Ndërkohë për të tretën ditë rradhazi qytetarët kanë protestuar në Tiranë. Protestuesit refuzojnë ofertën e Kryeministrit Rama për dialog mbi çështjen e Zvërnecit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e tij.