'E paprecedentë' - Bardhi: Rama ka 3 vjet që refuzon detyrimin kushtetues për të dhënë llogari në Kuvend

Kryeministri Edi Rama vijon të refuzojë detyrimin kushtetues për të dhënë llogari në Kuvend. Edhe sot kryeministri nuk u paraqit në seancë për interpelancën e kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi por i ka deleguar këtë interpelancë ministres së Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Erjona Ismailit.

"Është e paprecedentë, që ka të paktën 3 vite, zonja drejtuese e seancës, që kryeministri refuzon çdo interpelancë.  Gjatë kësaj legjislature janë të paktën 10 kërkesa për interpelancë, të kërkuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike" tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkoi të spostohet interpelanca nëse është e nevojshme dhe kryeministri të vijë në sallë t'i përgjigjet kërkesës për interpelancë në përputhje me detyrimin kushtetues të përcaktuar në nenin 80, pika 1 dhe në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit.

Fjala e Gazment Bardhit

"Është e disata interpelancë që deputetët e opozitës thërrasin kryeministrin e vendit dhe kryeministri ja delegon personave që nuk kanë as kompetencë, as përgjegjësi të fushës, temën për të cilën kërkohet interpelancë.

 Zonja drejtuese e seancës, neni 80, pika 1 e Kushtetutës sanksionon detyrimin e kryeministrit dhe çdo ministri që i kërkohet interpelancë, për t'u paraqitur në Kuvend.

Nuk ka asnjë nen, as në Kushtetutë, as në Rregulloren e Kuvendit dhe as në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave, që t'i japë të drejtën kryeministrit të delegojë llogaridhënien, të delegojë përgjegjësinë. Ky është një detyrim kushtetues i kryeministrit, i padelegueshëm.

 Është njëlloj sikur prokuroria të të thërrasë për të dhënë shpjegime për një temë të caktuar dhe kryeministri të thotë 'unë nuk shkoj në prokurori, po do çoj Eriona Ismailin. Nuk e bën dot. E njëjta gjë është edhe llogaridhënia në Kuvend. Është në kuadër të kompetencës së kontrollit parlamentar që ushtron parlamenti ndaj ekzekutivit. Nuk mund të thotë personi që është thirrur për të dhënë llogari, që 'unë delegoj llogarinë te Erjona Ismaili'.

Nuk mund të delegohet llogaria dhe përgjegjësia. Kështu që, zonja drejtuese e seancës, ne nuk pranojmë të zhvillojmë interpelancë me persona që nuk i kemi kërkuar. Kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin. Kryeministri e ka detyrim kushtetues të vijë dhe të japë llogari në Kuvend. Është e paprecedentë, që ka të paktën 3 vite, zonja drejtuese e seancës, që kryeministri refuzon çdo interpelancë. Gjatë kësaj legjislature janë të paktën 10 kërkesa për interpelancë, të kërkuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, që kryeministri ose i ka refuzuar përmes Niko Peleshit, dhe nja dy apo tre që janë pranuar, ja ka deleguar Erjona Ismaili'.

Zonja del atje, lexon çfarë i kanë shkruajtur, se nuk është kompetente për atë fushë, nuk e kam fare për ta fyer, po nuk është kompetente në fushat që i delegohen. Lexon një material, s'di as t'i përgjigjet pyetjeve, as të mbajë qëndrime mbi qëndrimin e deputetëve. Është thjesht lexuese e asaj që i japin për të lexuar.

Nuk është kjo llogaridhënia, nuk është ky kontrolli parlamentar. Prandaj kërkojmë të spostohet interpelanca nëse është e nevojshme dhe kryeministri të vijë në sallë t'i përgjigjet kërkesës për interpelancë në përputhje me detyrimin kushtetues të përcaktuar në nenin 80, pika 1 dhe në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit.