Vllaznia mbyll bashkëpunimin me dy lojtarë, largime të pritshme në Shkodër

Vllaznia ka zyrtarizuar ndarjen me dy futbollistë të ekipit, në një periudhë kur klubi po bën ndryshime në organikë për sezonin e ri.

Klubi shkodran kishte aktivizuar më herët klauzolat e rinovimit me disa prej lojtarëve të tij, por në të njëjtën kohë ka ardhur edhe momenti i largimeve për ata futbollistë që nuk kanë pranuar të vazhdojnë bashkëpunimin.

Dy emrat e parë që janë konfirmuar zyrtarisht si të larguar janë mbrojtësit Andrej Jago dhe Alexandros Kouros.

Në njoftimin zyrtar, Vllaznia bëri të ditur mbylljen e bashkëpunimit me të dy lojtarët, duke i falënderuar për kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu dhe duke u uruar suksese në të ardhmen.

Largimi i Jagos ishte në fakt i pritshëm, pasi ai kishte pasur edhe një përplasje me trajnerin Edi Martini gjatë ndeshjes së fundit ndaj Elbasani, çka kishte tensionuar situatën e tij brenda skuadrës.

Nga ana tjetër, Kouros ishte një afrim i kërkuar nga vetë Martini në verën e kaluar, por nuk arriti të përshtatej me pritshmëritë, duke mbetur shpesh në rolin e alternativës nga stoli dhe duke mos e bindur plotësisht stafin teknik.

Kështu, Vllaznia vazhdon riorganizimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, me synimin për të forcuar grupin dhe për të rritur konkurrueshmërinë në kampionat.