Operacioni në Maliq/ Këlliçi: Forcat Speciale mbahen për të shtypur protestat, policët e thjeshtë dërgohen drejt vdekjes

Seanca parlamentare e kësaj të enjteje është përfshirë në akuza të ashpra, ku deputeti i PD, Belind Këlliçi akuzoi qeverinë, pas vrasjes së oficerit të policisë në Maliq.

Përballë Ministrit të Brendshëm, Këlliçi ngritën pikëpyetje të forta se si ishte e mundur që për kapjen e një krimineli tejet të rrezikshëm dhe në kërkim, nuk u dërguan forcat speciale, por efektivë të forcave "Shqiponja".

Sipas ligjvënësit demokrat, forcat speciale mbahen larg operacioneve të rrezikshme pasi ato "ruhen" ekskluzivisht nga qeveria për të shtypur protestat, për të dhunuar zërat kritikë dhe për të mbrojtur pushtetin qendror, duke lënë të pambrojtur efektivët e thjeshtë në përballjen me krimin e organizuar.

Rregullorja për interpelancat dhe interpelancat për çështje urgjente e ka detyrim kushtetues të vijë dhe t'i përgjigjet pyetjeve të deputetëve. U bë vite me radhë që kryeministri jo nuk zbaton kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit, por as nuk vjen fizikisht këtu të përballet qoftë me deputetët apo me pyetjet që shqetësojnë opinionin publik dhe qytetarët.

Ne si forcë politike ja u kemi bërë të ditur vullnetin tonë që sa herë të shkelet kushtetuta ne do të reagojmë dhe nuk do të pranojmë më nëpërkëmbjen, bunkerizimin e këtij parlamenti dhe shkeljen e kushtetutës sa herë që kryeministrit apo drejtuesit të seancës i teket.

Ndaj, meqë përmendët pikën e parë sot në rendin e ditës, interpelancën urgjente të kërkuar me kryeministrin, po ju themi që duhet të jetë kryeministri këtu për t'ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës dhe jo një nga ministrat e deleguar prej tij që lexon në fakt fjalimet e tij. Për të ardhur te një çështje që sot ka tronditur të gjithë qytetarët shqiptarë, meqë kemi dhe ministrin e brendshëm këtu.

Si ka mundësi që sot në Maliq, ka ndodhur një vrasje, nga një person me precedent kriminal i konsideruar shumë i rrezikshëm dhe si ka mundësi ministri i brendshëm që ju për të neutralizuar dhe arrestuar një kriminel, një ordiner i cili është i dënuar me burg dhe ishte në kërkim dërgoni aty forcat Shqiponja, efektivët që nuk kanë trajtim special dhe forcat speciale nuk i dërgoni.

Forcat speciale ju i ruani për të shtypur protestat, për të goditur protestuesit, për të goditur opozitën, për të ruajtur karrigen e kryeministrit, për të goditur ata të rinjtë që i goditët dhe ditën e djeshme në protestë, dhe për të shtypur çdo zë kritik kundër kësaj mazhorance. Si ka mundësi ju e dini që po shkoni të arrestoni dhe të ndaloni një person në kërkim me precedent penal dhe i dënuar me burg, dhe ju dërgoni dy djem të rinj që i morët në qafë. Një efektiv 34 vjeç që humbi jetën dhe një 36 vjeç që po lufton për jetën.

 Ndërkohë, për t'i kujtuar dhe një herë të gjithë emrat e qytetarëve shqiptarë të atyre deputetëve që kanë propozuar amendamentet për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, për të lejuar shkatërrimin e zonave të mbrojtura, qytetarë shqiptarë ta dini mirë: 12 kartonat e Partisë Socialiste që kanë propozuar atë amendament janë:

Fadil Nasufi (qarku i Beratit), 
Florenc Spaho (Elbasan), 
Arkend Balla (Durrës), 
Edona Bilali (Shkodër), 
Bujar Çela (Lushnje), 
Anduel Tahiraj (Vlorë).

Shpresa Marnoj (Lezhë), 
Mirela Pitushi (Fier), 
Denis Deliu (Durrës), 
Klodiana Spahiu (Durrës), 
Enslemvera Zake (Korçë), 
Eduart Ndreca (Lezhë)