Rama refuzon Kuvendin, Alizoti: Kryeministri i zhdukur paralajmëron diktaturën…
Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me tensione dhe akuza të forta drejtuar kreut të qeverisë lidhur me mungesën e tij në Kuvend. Gjatë fjalës për procedurë, deputeti i Partisë Demokratike Tomorr Alizoti ka ngritur shqetësimin se kryeministri po shkel haptazi nenin 80 të Kushtetutës, i cili e detyron atë të mos u shmanget interpelancave të kërkuara nga ligjvënësit.
Duke e lidhur këtë situatë me protestat e fundit masive në vend, përfaqësuesi i opozitës shtroi pyetjen nëse Shqipëria funksionon ende si një Republikë Parlamentare. Sipas tij, shteti i së drejtës ka si qëllim kryesor të kufizojë përmes ligjit "epshin e liderit". Në rast se ligji themeltar shkelet dhe tekat e individit triumfojnë, atëherë vendi kalon automatikisht në një regjim diktatorial.
Tomorr Alizoti: Drejtuese e seancës. Po lexoj nenin 80 të Kushtetutës i cili detyron kryeministrin dhe çdo ministër mos t'i shmanget interpelancës. Të gjithë ata e dinë që Kushtetuta është themeli i një shteti, përcakton funksionimin e një shteti. Tani kur ka vite që kryeministri refuzon haptas dhe shkel ligjin bazë të shtetit që është Kushtetuta, imagjinoni çfarë bën në dimensionet e tjera. Tani sot në Shqipëri ka disa ditë që ka një ndodhi në shoqërinë shqiptare, ka një protestë të një përmase tjetër. Kështu që ka shumë deputetë, ka shumë zotërinj të nderuar nga pjesë të partive ndoshta të vogla që duan të diskutojnë me kryeministrin e vendit. Tani më thoni, është më Republikë Parlamentare Shqipëria apo jo? Sepse Kushtetuta përcakton dhe thotë që Shqipëria është shtet i së drejtës.
E shteti i së drejtës ka një qëllim: nëpërmjet ligjit të ndalojë epshin e liderit. Dhe në momentin që epshi i liderit triumfon mbi Kushtetutën, ne jemi diktaturë. Ne jemi haptas në diktaturë. Kështu që edhe ata zotërinjtë e nderuar që janë socialistë, po janë juristë, duhet ta thonë haptas këtë gjë. Ai del haptas, shkel Kushtetutën. Jemi në diktaturë apo jo? Atëherë ju si drejtuese e seancës duhet të merrni kurajon dhe e keni tagrin të jepni një shpjegim ose të detyroni kryeministrin të vijë në interpelancë. Pse nuk vjen kryeministri i Shqipërisë në interpelancë? Dhe kjo bisedë që unë bëj është tamam proceduriale. Pra nuk është as populiste, as politike siç mund ta cilësoni. Është, ka të bëjë me shtetin, ka të bëjë me Kushtetutën. Nga e merr të drejtën kryeministri i Shqipërisë të shkeli Kushtetutën e Shqipërisë? Ju lutem më jepni një përgjigje.