‘Policia prej 14 vitesh, dhunë sistematike ndaj qytetarëve’, Balliu - Mazhorancës: U doli videoja, doni të fshihni krimin tuaj

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PD, Klevis Balliu, ashpërsoi akuzat ndaj mazhorancës, lidhur me dhunën e policisë gjatë protestës së qytetarëve ndër vite.

Gjatë fjalës së tij, Balliu tha se qytetarët shqiptarë kanë vuajtur nga dhuna sistematike gjatë protestave për plot 14 vite, ku 415 protestues të lënduar, kanë përfunduar në spitale si pasojë e përplasjeve me forcat e rendit, përdorimit të shkopinjve të gomës dhe gazit lotsjellës nga strukturat policore ndër vite.

Teksa u ndal te publikimi i një videoje komprometuese, Balliu theksoi se kjo provë vizuale dyshohet se i ka detyruar zyrtarët të përpiqen të mbulojnë veprimet e tyre.

Duke përmendur me emra figura politike dhe deputetë që kanë votuar ligjin e debatueshëm për ndërtimet në zonat e mbrojtura, Balliu i cilësoi ata si bashkëpunëtorë në afera, të cilët mbrojnë interesa personale e kriminale në dëm të qytetarëve.

Këta që dalin dhe na janë habitur sepse po na tregojnë që i kanë kërkuar llogari ministrit të brendshëm për dhunën, ka 14 vite që dhunohen qytetarët shqiptarë nëpër protesta. 415 protestues kanë qenë në spitale në këto 14 vite nga dhuna, shkopat e gomës, kambalet e policisë së Saimir Tahirit, e deri te ky Lamallari që keni sjellë sot këtu. Ka 14 vite që policia, e cila me eprorët kriminelë të vetët, është përdorur për të sulmuar qytetarët nëpër protesta dhe nuk ju ka pipëtirë zëri. Arsyeja pse folët kësaj radhe është një dhe e vetme: ju doli videoja, ju doli sheshit dhe u përpoqët që të fshini krimin tuaj.

Për sa i përket këtyre qorrave politikë që i keni shpikur vetë, i keni themeluar vetë, dua t'ju kujtoj këtë këtu. Edhe këtij që foli së pari. Kush janë këta këtu që kanë votuar ligjin për të ndërtuar tek zonat e mbrojtura? Kush janë? A i njihni mor... A i njihni këta mor? A i njihni? Kush jeni ju? Kush është Arben Ndoka? Kush është? I kujt është ky? E kujt është kjo... Mirela Pitushi, Denis Deliu, të kujt janë këta? Të kujt partie janë? Edona Bilali, Bujar Çela, të kujt janë këta që propozuan ligjin dhe votuan ligjin? Të kujt janë këta? Që nuk i përmendin.Pse nuk i përmendin?

Sepse zotërinj, pasi nuk ju ngjiti që fajin e ka Izraeli, pasi nuk ju ngjiti që fajin e ka Greqia, tani gjetët shpëtimin tuaj te teza juaj që fajin e ka opozita se firmosni ju, se votoni ju, se vidhni ju, se merreni me kriminelë ju. Jo mor zotëri, jo. Nuk na impresiononi ne me këto shpifje. Protestat e qytetarëve janë protesta qytetare dhe ato do të mbrohen. Çfarë bëtë dje? Çfarë bëtë dje? Ishin marshim. Çfarë bëtë ju? Cila ishte zgjidhja? Ujin prapë. Ujin prapë, prapë dhunën, prapë policinë e shtetit për ta përdorur për interesa politike. Këtë nuk e ka bërë opozita. Dhe keni çuar atje ca partiçka që i keni themeluar ju, për të thënë se janë të gjithë njësoj, kështu që s'ka nevojë për t'i ndryshuar gjërat, jemi mirë kështu siç jemi. Këta që i keni themeluar vetë... që na hiqeshit sikur keni probleme me ata.