Betonizimi i zonave të mbrojtura/ Zhupa kërkon interpelancë urgjente: Ku e keni ministrin e Mjedisit?
Kuvendi ka nisur punimet me debate të ashpra këtë të enjte, 4 qershor, teksa deputetja e PD, Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit për të dhënë llogari mbi projektet që rrezikojnë Zvërnecin dhe zonat e tjera natyrore, kjo kërkesë që u lënë jashtë rendit të ditës.
Zhupa akuzoi mazhorancën për shkatërrimin e natyrës dhe dhënien e pasurive kombëtare me koncesion pa asnjë transparencë. Raste të tilla si betonizimi i gjirit të Manastirit, koncesioni i Butrintit, ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe planet për ndërhyrje në Nartë, u denoncuan si akte që po zhdukin mjedisin për të ngritur vila dhe resorte mbi pronën publike.
Në qendër të kritikave ishte edhe ligji i ri për zonat e mbrojtura, i cili tashmë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Nga foltorja, Zhupa theksoi se vetë Bashkimi Evropian ka kërkuar shfuqizimin e këtij ligji, ndërkohë që qeveria refuzon të përfshijë në program propozimet e reja ligjore për të mbrojtur standardet evropiane, të depozituara prej muajsh.
Një interpelancë urgjente me ministrin e mjedisit, pikërisht për çështjet e zonave të mbrojtura dhe të Zvërnecit. Ky vend ka dhe ministër mjedisi, nuk ka vetëm ministër ndërtimi dhe infrastrukture. Dhe të vijë dhe t'i japë llogari shqiptarëve çfarë projekti është, a mbrohen zonat e mbrojtura, ku e keni ministrin e mjedisit? Pse nuk është futur në rendin e ditës interpelanca urgjente? U mësuat ju kolegë që nuk pyesnit, betonizonit çfarë të donit, bëtë gjirin e manastirit atje kompleks, nuk pyetët që ishte zonë e mbrojtur. Dhatë Butrintin me koncesion, nuk pyetët fare. Bëtë aeroportin e Vlorës në një zonë të mbrojtur, nuk pyetët. Sot doni t'i hyni Nartës me kokë dhe nuk pyesni. Po harruat, harruat që shqiptarët nuk e duan ta tregojnë Shqipërinë si një përrallë me flamingo, të cilat kanë ekzistuar dhe t'ua tregojnë fëmijëve vetëm plastikë edhe nëpër kopshte zoologjike.
Por luftojnë për Shqipërinë. Luftojnë për Shqipërinë dhe sot janë çuar, për një betejë në fakt që unë personalisht e kam nisur që me Butrintin. Partia Demokratike e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e zonave të mbrojtura 21/2024. Dhe ju zotërinj, për turpin tuaj e keni miratuar. Sot ju kërkon Bashkimi Evropian juve ta hiqni. Ju kam sjellë ligjin, nuk e keni futur as në program. Pse nuk e keni futur në program? Ua kam sjellë që në 14 maj. Është një nga kërkesat e protestuesve. Protestues të ndershëm, shqiptarë. Jo grekë, jo serbë, jo rusë, jo agjentë. Janë shqiptarë ata që iu dhimbset Shqipëria. Se turizmi i qëndrueshëm, nderuar kolegë, shikoni standardet e Bashkimit Evropian, është me mjedis të qëndrueshëm.
Ashtu zhvillohet Shqipëria, duke respektuar mjedisin dhe duke ndërtuar sipas standardeve që kërkon Bashkimi Evropian. Nuk ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm. Nuk ekziston t'i themi fëmijëve që këtu ka qenë një lagunë, këtu ka qenë një liqen, këtu ka qenë një zonë e mbrojtur, tani është vila e këtij, resorti i këtij, pallati i këtij. Kjo është historia që doni t'i tregoni ju shqiptarëve, po në fakt ju sot duhet të tërhiqeni dhe duhet të trembeni. Nga shqiptarët e ndershëm, që protestojnë atje përtej çdo partie, përtej çdo krahu politik, sepse i bashkon një gjë e vetme: Shqipëria, interesi i Shqipërisë. Nuk mund të na thoni ju janë anti-zhvillimit se kërkojnë të respektohet mjedisi, të respektohet ajo që ka ndërtuar natyra në mijëra vjet dhe ju doni ta prishni në 10 ditë. Nuk mund të na thoni që po bënit studim mjedisor me buldozer dhe po mbronit mjedisin me të.