Lezha në terr, Gjekmarkaj: Qytetarët meritojnë shërbim dinjitoz, jo justifikime sa herë bie shi
Nënkryetari i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ka reaguar me një postim në faqen e tij në facebook për situatën e rëndë ne Lezhe pas ndërprerjes së energjisë elektrike.
Mesazhi:
Mijëra banorë në katër anët e Lezhës vijojnë të jenë pa energji elektrike prej orësh të tëra. Një situatë e përsëritur dhe e papranueshme, që sa herë ka sado pak reshje shiu nxjerr në pah papërgjegjshmërinë dhe mungesën e investimeve në rrjet.
Familje me të sëmurë, të moshuar, fëmijë dhe biznese po përballen me vështirësi dhe kosto shtesë, ndërsa institucionet përgjegjëse veç propagandojnë. Është e papranueshme që në vitin 2026 qytetarët të mbeten në errësirë për orë të tëra sa herë ndërsa sezoni turistik ka nisur.
Lezhjanët paguajnë rregullisht faturat e energjisë, por në këmbim marrin ndërprerje të vazhdueshme dhe mungesë përgjegjësie nga OSHEE dhe autoritetet përkatëse. Qytetarët meritojnë shërbim dinjitoz, jo justifikime sa herë bie shi.