‘Pjesa e dytë ishte skëterrë’, Tami Kona kritikon Kombëtaren dhe komenton reagimin e tifozëve

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” të gazetarit Flavio Qarri, analisti sportiv, Tami Kona, komentoi paraqitjen e Shqipërisë në humbjen ndaj Izraelit, duke u shprehur mjaft kritik për lojën e skuadrës kuqezi, sidomos në pjesën e dytë të takimit.

Sipas Konës, Shqipëria dha dy pamje krejt të ndryshme gjatë ndeshjes. Ai theksoi se në pjesën e parë ekipi krijoi idenë e një skuadre që mund të fitonte, por gjithçka ndryshoi pas pushimit.

“Të them të drejtën, pamë dy tablo të ndryshme. Në pjesën e parë u duk sikur Kombëtarja me sulmet e saj po shkonte drejt një fitoreje, ndërsa pjesa e dytë ishte skëterrë fare. Në tërësi, ndeshja ishte plotësisht e dobët”, u shpreh Kona.

Analisti u ndal edhe te statistikat ofensve të skuadrës shqiptare, duke i cilësuar ato zhgënjyese.

“Mjafton të shohësh statistikat e UEFA-s. Shqipëria pati 13 goditje, gjashtë jashtë kuadratit dhe shtatë të bllokuara apo të neutralizuara. Pra, asnjë goditje në kuadrat. Është një statistikë shumë e trishtë”, deklaroi ai.

Kona komentoi edhe filozofinë e trajnerit Maran, i cili synon një Shqipëri më sulmuese, por sipas tij, realiteti i lojtarëve nuk e lejon ende këtë qasje.

“Trajneri ka thënë se dëshiron t’i japë ADN-së së kësaj Kombëtareje një frymë ofensive, por lojtarët kanë problematikat e tyre. Disa kanë luajtur pak me klubet, disa vijnë nga dëmtime apo huazime. Kombëtarja shqiptare duhet të bazohet te mbrojtja. Maran është trajner me eksperiencë në Itali, por Kombëtarja është krejt tjetër gjë”, shtoi Kona.

Në fund, ai komentoi edhe reagimet e tifozëve gjatë ndeshjes në lidhje me Palestinën dhe Izraelin.

“Në një ndeshje futbolli, lojtarët izraelitë e dinë shumë mirë se sa mikpritëse është Shqipëria dhe marrëdhënien që ka me Izraelin. Por futbollistët ndoshta nuk e dinë këtë realitet politik. Tifozët reaguan për Palestinën dhe tifozi të vetmen gjë që ka në dorë është zëri i tij”, përfundoi Kona.