Manchester City ‘kërcënon’ rivalin e Perez-it për deklaratat mbi Haaland-in: E pavërtetë, marrim masa ligjore
Manchester City ka reaguar zyrtarisht ndaj lajmeve të publikuara në Spanjë për të ardhmen e sulmuesit Erling Haaland, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Klubi anglez, përmes një burimi të autorizuar, ka mohuar kategorikisht çdo mundësi largimi të ‘bomberit’ norvegjez nga “Etihad Stadium”, pas deklaratave të bëra nga Enrique Riquelme, rival i Florentino Perez-it në zgjedhjet presidenciale te Realit, në emisionin “El Hormiguero”.
Sipas reagimit të Manchester City-t, nuk ekziston asnjë skenar që Haaland të largohet nga skuadra gjatë kësaj periudhe.
“Historitë që kanë dalë nga Spanja për të ardhmen e Erling Haaland-it janë të rreme. Nuk ka asnjë mundësi që një gjë e tillë të ndodhë dhe nuk ekziston asnjë klauzolë kontraktuale që e lejon largimin e tij”, thuhet në deklaratën e klubit anglez.
Gjithashtu, drejtuesit e City-t kanë paralajmëruar edhe masa ligjore lidhur me përdorimin e imazhit të lojtarit në këtë çështje.
“Po shqyrtojmë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore për përdorimin e imazhit të lojtarit në këtë kontekst”, shtoi klubi.
Kështu, kampionët anglezë kanë vendosur t’u japin fund spekulimeve rreth së ardhmes së Haaland, duke e konsideruar sulmuesin norvegjez si pjesë të pandashme të projektit të skuadrës.