Knicks-at befasojnë Spurs-at në finalen e parë të serisë, shkëlqen Jalen Brunson
New York Knicks kanë hedhur një hap të madh drejt titullit kampion në NBA, pasi fituan ndeshjen e parë të finaleve ndaj San Antonio Spurs me rezultatin 105-95 në transfertë, duke marrë menjëherë avantazhin e fushës.
Sfida e zhvilluar në Teksas ishte shumë e luftuar për tri perioda, teksa 36 minutat e para u mbyllën në barazim 76-76. Megjithatë, në periodën e fundit Knicks-at dominuan plotësisht me një seri 29-19, duke vulosur suksesin e rëndësishëm në “shtëpinë” e Spurs-ave.
Heroi i mbrëmjes për skuadrën nga Nju Jorku ishte sërish Jalen Brunson. ‘Ylli’ i Knicks-ave realizoi 30 pikë, edhe pse nuk pati përqindjen më të mirë në gjuajtje. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Karl-Anthony Towns me 18 pikë, OG Anunoby me 17 dhe Landry Shamet që shtoi 13 pikë nga stoli.
Nga ana tjetër, për Spurs-at nuk mjaftuan 26 pikët e Victor Wembanyama-s. Francezi hasi vështirësi të mëdha në gjuajtje, duke realizuar vetëm 6 nga 21 tentativa nga fusha, ndërsa një pjesë e mirë e pikëve erdhi nga gjuajtjet e lira.
Spurs-at e nisën më mirë takimin, duke fituar periodën e parë 27-19 dhe duke shkuar në pushim me avantazhin 55-48. Por në pjesën e dytë Knicks-at reaguan fuqishëm, duke përmbysur gjithçka me një lojë më agresive dhe efikase.
Tashmë seria zhvendoset te ndeshja e dytë, që do të luhet në natën mes së premtes dhe së shtunës. Një tjetër fitore e Knicks-ave do t’i afronte shumë pranë një titulli historik, që mungon prej plot 53 vitesh.