‘Kur luan për Kombëtaren, motivimi vjen vetë’, Sherri emocionon pas debutimit si titullar
Portieri i Shqipërisë, Alen Sherri, u shpreh i lumtur për paraqitjen personale, edhe pse rezultati final la shije të hidhur.
Sherri pranoi se nuk e kishte pritur të zhvillonte një paraqitje kaq të mirë, duke marrë parasysh mungesën e minutave gjatë sezonit me klubin e tij.
“Duke parë faktin që vij nga një sezon ku kam luajtur shumë pak, sinqerisht nuk e prisja të paraqitesha kështu. Megjithatë u mundova të jepja maksimumin në çdo moment. Kur luan për Kombëtaren nuk ke nevojë për motivim shtesë. Ishte hera ime e parë dhe është një ndjesi krejt ndryshe. Të duket sikur këmbët ecin vetë në fushë”, deklaroi portieri shqiptar.
Më tej, Sherri foli edhe për emocionet e familjes së tij në një moment kaq të rëndësishëm në karrierë.
“Nëna ime ishte e para që e mori vesh se do të isha titullar. Edhe kur ia them, edhe kur nuk ia them, ajo emocionohet shumë. Sot i thashë të rrinte e qetë. Si çdo prind, ndihet krenare për fëmijën e saj. Për familjen tonë kjo është shumë e rëndësishme dhe e kam pritur gjatë një moment të tillë”, tha ai.
Në fund, portieri kuqezi tregoi se debutimi si titullar bëhet edhe më i veçantë për faktin se pranë kishte njerëzit më të afërt.
“Jam shumë krenar që kjo ndodhi para familjes sime, prindërve dhe djalit tim. Kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur”, përfundoi Sherri.