‘Me trajnerin e ri kemi nisur mirë’, Asllani flet edhe për të ardhmen: Shpresoj të vazhdoj te Besiktasi
Mesfushori i Shqipërisë, Kristjan Asllani, analizoi humbjen 0-1 ndaj Izraeli në miqësoren e zhvilluar në ‘Air Albania’. Futbollisti kuqezi foli për nisjen e bashkëpunimit me trajnerin e ri, si edhe për situatën e tij në nivel klubesh.
Asllani u shpreh se skuadra po përshtatet mirë me idetë e trajnerit Maran dhe se grupi ka reaguar pozitivisht në seancat stërvitore dhe në fushë.
“Fillimi me trajnerin e ri ka qenë shumë pozitiv. Është një njeri shumë i mirë dhe po mundohemi të zbatojmë idetë e tij. Gjatë ndeshjes provuam të bënim presing të lartë, ndërsa në pjesën e dytë punuam më shumë në situatat një kundër një. Fatkeqësisht pësuam gol, por zgjedhjet dhe mënyra e lojës i takojnë trajnerit”, deklaroi mesfushori shqiptar.
Më tej, Asllani theksoi se grupi është në gjendje të mirë dhe i përgatitur për sfidat e ardhshme.
“Të gjithë lojtarët janë gati dhe ekipi është stërvitur shumë mirë. Tani duhet të shohim përpara dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, u shpreh ai.
Në fund, futbollisti foli edhe për të ardhmen e tij në klub, duke lënë të kuptohet se dëshira e tij është të vazhdojë te Beşiktaş.
“Për momentin nuk di shumë për të ardhmen. Besiktasi ka të drejtën e blerjes së kartonit tim dhe unë jam ndier shumë mirë aty. Shpresoj të qëndroj”, përfundoi Asllani.