‘Na mungoi vetëm goli’, Hoxha flet pas humbjes me Izraelin: Nëse vjen momenti për transferim…
Mesfushori i Shqipërisë, Arbër Hoxha, komentoi humbjen 0-1 ndaj Izraelit në ndeshjen miqësore të luajtur në ‘Air Albania’. Futbollisti kuqezi vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se ekipit i mungoi vetëm konkretizimi para portës.
Sipas Hoxhës, skuadra po përshtatet me idetë e trajnerit të ri dhe në fushë u panë elementë pozitivë, edhe pse rezultati nuk ishte ai i dëshiruar.
“Kjo është filozofia që trajneri kërkon të zbatojmë. Mendoj se zhvilluam një ndeshje të mirë, por nuk patëm fat në momentet vendimtare. Krijuam raste, provuam të sulmonim, por nuk arritëm të shënonim. Izraeli nuk na rrezikoi shumë dhe na ndëshkoi në një kundërsulm. Sigurisht që një humbje e tillë të dhemb”, deklaroi lojtari shqiptar.
Më tej, Hoxha u ndal edhe te e ardhmja e tij në merkato, duke lënë të hapur mundësinë e një transferimi gjatë verës.
“Për momentin jam i përqendruar te Kombëtarja dhe ndihem mirë te Dinamo Zagreb. Nuk po mendoj shumë për transferimin. Nëse vjen momenti dhe është e shkruar që të bëj një lëvizje gjatë verës, atëherë do të ndodhë. Aktualisht nuk kam asgjë konkrete”, u shpreh Hoxha.
Në fund, ai bëri edhe shaka kur u pyet se cilën kombëtare do të mbështeste në Botëror.
“Me Kroacinë”, tha Hoxha me të qeshur.