‘Bëmë paraqitje pozitive’, Mehmeti komenton humbjen ndaj Izraelit: Duhej të shënoja me kokë
Sulmuesi i Shqipërisë, Anis Mehmeti, ka folur pas humbjes së kuqezinjve ndaj Izraeli në miqësoren e zhvilluar në ‘Air Albania’. Futbollisti shqiptar analizoi paraqitjen e skuadrës dhe komentoi edhe rastin e humbur në pjesën e parë.
Mehmeti u shpreh se Shqipëria zhvilloi një ndeshje të mirë, pavarësisht rezultatit negativ, ndërsa pranoi se duhej të kishte bërë më mirë në momentin e artë për shënim.
“Besoj se kemi luajtur mirë gjatë ndeshjes. Për rastin që humba, sinqerisht nuk e di çfarë ndodhi. Nëse do të isha në Angli, ndoshta do ta kisha kthyer në gol. Kur Hysaj dha krosimin, nuk e pashë mirë topin dhe duhej ta kisha goditur me kokë”, deklaroi sulmuesi.
Më tej, Mehmeti tregoi edhe për detyrat taktike që kishte marrë nga trajneri gjatë sfidës.
“Trajneri më kërkoi të lëvizja në fazën sulmuese bashkë me Brojën, ndërsa më pas të luaja edhe si numër 10. Pozicioni ku ndihem më mirë është si sulmues i dytë ose në krahun e majtë”, tha ai.
Në fund, lojtari foli edhe për synimet e tij në karrierë dhe mundësinë për të luajtur në Premier League.
“Kam punuar shumë për këtë moment dhe ndihem gati. Është një ëndërr për mua të luaj në Premier League. Edhe te Kombëtarja gjërat kanë shkuar mirë me trajnerin e ri. Sot nisa nga minuta e parë dhe shpresoj të kem vazhdimësi”, përfundoi Mehmeti.