Maran pas debutimit me humbje: Pashë gjëra pozitive dhe negative, Broja duhet të bëhet pikë referimi
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, u shfaq i zhgënjyer për humbjen ndaj Izraelit në debutimin e tij në stolin kuqezi, por theksoi se ndeshja i dha indicie të rëndësishme për punën që duhet të bëjë në të ardhmen me ekipin.
Tekniku italian pranoi se priste vështirësi, duke pasur parasysh kohën e shkurtër në dispozicion për të transmetuar idetë e tij te skuadra.
“Është mëkat, sepse shpresoja ta nisnim me fitore për tifozët dhe për ne. Kur fillon një projekt të ri, gjithmonë dëshiron ta nisësh në mënyrën më të mirë. Më pëlqeu mënyra se si u përpoqëm ta bënim lojën tonë dhe të krijonim situata, por në disa momente humbëm ekuilibrin dhe ky është aspekti kryesor ku duhet të punojmë”, deklaroi Maran.
Sipas trajnerit, Shqipëria zhvilloi një pjesë të parë më të mirë falë organizimit dhe balancës në fushë, ndërsa në fraksionin e dytë dëshira për të sulmuar më shumë solli hapësira për kundërshtarin.
“Në pjesën e parë kishim ekuilibër dhe kontroll më të mirë. Në të dytën, duke kërkuar më shumë në sulm, humbëm balancën dhe përballë një skuadre teknike si Izraeli kjo bëhet e rrezikshme. Unë dua që skuadra të luajë më shumë në gjysmëfushën kundërshtare, por duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur”, shtoi ai.
Maran u ndal edhe te Armando Broja, për të cilin tha se duhet të marrë një rol më të rëndësishëm në repartin ofensiv.
“Broja duhet të jetë më shumë pikë referimi në qendër të sulmit. Karakteristikat e tij e shtyjnë të lëvizë shumë dhe të kërkojë hapësira, por unë dua që ai të jetë një referencë më e fortë për skuadrën. Kemi punuar vetëm pak ditë bashkë dhe ka ende shumë gjëra për të përmirësuar”, theksoi trajneri.
Në fund, Maran falënderoi tifozët për mbështetjen e treguar në debutimin e tij dhe premtoi se skuadra do të vazhdojë të punojë për të shpërblyer besimin e tyre.
“Kam gjetur një mikpritje të jashtëzakonshme dhe për këtë arsye më vjen keq që nuk arritëm t’i shpërblenim tifozët me një rezultat pozitiv. Megjithatë, kjo ndeshje më ka ndihmuar të kuptoj më mirë skuadrën dhe të identifikoj aspektet ku duhet të përqendrohemi në të ardhmen”, përfundoi Maran.