SYRI TV/ Dita 4 e protestave për Zvërnecin, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës: Koha jote ka perënduar

Qytetarët kanë protestuar sërish sot, me thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe të qeverisë socialiste. Në ditën e katërt të protestave në Tiranë janë regjistruar disa përplasje me policinë, por nuk janë shënuar incidente të rënda. Në tubimin e mbajtur para selisë së Kryeministrisë, qytetarët kanë akuzuar Edi Ramën për përfshirje në afera korruptive dhe kanë kërkuar largimin e tij. Protesta janë zhvilluar edhe në Vlorë dhe Durrës.

Me thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, për ditën e katërt rradhazi qytetarët kanë vazhduar protestën për çështjen e Zvërnecit. Ata janë mbledhur fillimisht në Sheshin Skënderbej, nga ku nisën marshimin e tyre, por janë përballur me gardhin metalik të vendosur nga policia në zonën e Ura e Lanës. Pas disa përplasjeve me policinë, protestuesit kanë arritur të kalojnë barrierat metalike dhe janë nisur drejt Kryeministrisë.

Teksa qytetarët vazhdonin marshimin në afërsi të Kryeministrisë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kishin formuar një tjetër kordon për të ndaluar protestuesit.

Më pas, policia ka nxjerrë në bulevard autobotet, të cilat kanë hedhur ujë me presion drejt protestuesve, por, ndryshe nga sjellja brutale ndaj protestuesve të opozitës, autobotet janë tërhequr shpejt në anë të godinës së Kryeministrisë, teksa qytetarët janë tubuar para zyrës së Kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët, gjatë fjalës së tyre, kanë refuzuar negociatat e ofruara nga shefi i qeverisë dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe largimin e qeverisë socialiste.

Paralelisht me protestën në Tiranë, disa dhjetra qytetarë janë mbledhur edhe në qytetin e Vlorës, në Sheshin e Flamurit. Protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për çështje të ndryshme që prekin komunitetin, teksa kanë kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit.

Ndërkohë, në orën 16:00 një tjetër protestë është zhvilluar në qytetin e Durrësit, ku qytetarët kanë kërkuar ndalimin e projektit TID, ku parashikohet prishja e zonës së parkut arkeologjik.