Hysaj: Maran kërkon një Shqipëri më sulmuese, kërkoj falje për momentin e tensionit

Elseid Hysaj ka analizuar humbjen e Shqipërisë ndaj Izraelit, duke vlerësuar idetë e trajnerit të ri Rolando Maran dhe duke komentuar edhe episodin e tensionit që u krijua gjatë ndeshjes.

Mbrojtësi kuqezi theksoi se skuadra është ende në fazën e përshtatjes me filozofinë e teknikut italian, por sipas tij sinjalet e para janë pozitive.

“Të them të drejtën, kur luaj me fanellën e Shqipërisë objektivi është gjithmonë të jap maksimumin deri sa të kem fuqi dhe kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Ky është një trajner i ri, me ide të reja. Besoj se me kalimin e kohës do të sistemohen më mirë, pasi kemi pasur vetëm katër ditë për të punuar në aspektin mbrojtës dhe sulmues. Megjithatë, është pozitive sepse ai kërkon një lojë më sulmuese nga ajo që kemi zhvilluar më parë”, deklaroi Hysaj.

Futbollisti i Kombëtares komentoi edhe momentin e tensionuar me lojtarët kundërshtarë, duke shpjeguar arsyen e reagimit të tij.

“Futbolli kështu është. Nuk më pëlqen të bëj skena të tilla, por në momentin që pashë lojtarin kundërshtar me gishtin në buzë duke u thënë tifozëve të pushonin, reagova instinktivisht. Kërkoj falje, janë situata që ndodhin në fushë. E rëndësishme është që nuk ndodhi asgjë serioze”, u shpreh ai.

Në fund, Hysaj foli edhe për të ardhmen e tij në nivel klubesh, duke konfirmuar se aktualisht është pa kontratë dhe po shqyrton opsionet për sezonin e ri.

“Jam pa kontratë. Kanë mbetur edhe dy ndeshje me Kombëtaren këtë vit, më pas do të shohim. Kam folur me menaxherin tim dhe ai po punon për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Kur të ketë diçka konkrete, do ta bëj të ditur”, përfundoi mbrojtësi kuqezi.