Shqipëri-Izrael, mbyllet pa gola pjesa e parë në ‘Air Albania’
Është mbyllur me rezultatin 0-0 pjesa e parë e ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit, që po zhvillohet në stadiumin “Air Albania”.
Kuqezinjtë e Rolando Maran u shfaqën më kërkues gjatë 45 minutave të para dhe krijuan rastet më të mira për të kaluar në avantazh.
Mundësia më e pastër erdhi në minutën e 10-të, kur Elseid Hysaj dhuroi një krosim perfekt për Anis Mehmetin, por sulmuesi, i vetëm përballë portës, e dërgoi topin mbi traversë.
Vetë Mehmeti vazhdoi të ishte ndër lojtarët më aktivë në sulmin shqiptar, duke provuar sërish në minutën e 29-të me një gjuajtje të harkuar nga krahu i majtë, por pa gjetur kuadratin.
Edhe Arbër Hoxha iu afrua golit në minutën e 34-t, kur tentoi me një goditje drejt shtyllës së largët, por topi përfundoi jashtë.
Izraeli pati disa tentativa sporadike me Gloukh, Revivo dhe Toriel, por pa vënë seriozisht në provë Alen Sherrin, i cili kontrolloi me qetësi situatat e krijuara pranë portës së tij.
Në debutimin e tij në stolin kuqezi, Rolando Maran ka parë një Shqipëri agresive në presing dhe të organizuar në fushë, por që ende nuk ka gjetur saktësinë e nevojshme në fazën përmbyllëse.
Gjithçka mbetet e hapur për 45 minutat e dyta, me kuqezinjtë që do të kërkojnë golin e avantazhit për t’i dhuruar trajnerit të ri një nisje pozitive në krye të Kombëtares.