Goditje e madhe policore ndaj trafikut të marijuanës në Spanjë, çmontohet rrjeti kriminal i shqiptarëve

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në zonwn e Mas del Plata, në Cabra del Camp të provincës së Tarragonës në Spanjë, ku rreth 300 efektivë të policisë katalanase dhe Policisë Kombëtare spanjolle kanë ndërhyrë në 15 banesa për të goditur një organizatë kriminale të dyshuar për kultivim dhe trafikim të marijuanës.

Operacioni, i udhëhequr nga Divizioni i Hetimit Kriminal në Tarragona dhe hetues të Policisë Kombëtare, kishte si objektiv çmontimin e një rrjeti të strukturuar kriminal që, sipas informacioneve paraprake, drejtohej nga një klan rom i zonës së Tarragonës në bashkëpunim me një grup kriminal me shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se siguronin fuqinë punëtore për kultivimin e lëndës narkotike.

Në operacion morën pjesë njësitë speciale të policisë katalanase, përfshirë Grupin Special të Ndërhyrjes (GEI), si dhe efektivë të Njësisë së Ndërhyrjes Policore (UIP) të Policisë Kombëtare spanjolle. Autoritetet kishin informacione se në objektet e kontrolluara mund të kishte armë, çka bëri të nevojshme angazhimin e forcave speciale.

Gjatë kontrolleve u arrestuan 14 persona dhe u zbuluan 11 plantacione të marijuanës me mbi 5 mijë bimë. Gjithashtu, policia sekuestroi armë zjarri, armë të ftohta, para në dorë, pajisje bllokuese të sinjalit dhe peshore që përdoreshin për përpunimin dhe shpërndarjen e drogës.

Zona e Mas del Plata ka qenë prej vitesh nën vëzhgimin e autoriteteve katalanase për shkak të aktiviteteve të dyshuara kriminale, veçanërisht lidhur me kultivimin e marijuanës dhe lidhjet e paligjshme me rrjetin elektrik. Megjithatë, hetimet e fundit kanë treguar se plantacionet nuk funksiononin në mënyrë të pavarur, por ishin pjesë e një organizate të vetme kriminale me strukturë të organizuar.

Hetimi vijon ende dhe mbetet nën sekret hetimor, ndërsa autoritetet spanjolle po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës.