Ekonomia shqiptare/ BERZH ul pritshmërinë: Rritja ngadalësohet mes goditjeve ndaj industrisë dhe bujqësisë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur lehtë parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit. Në raportin e qershorit, ekonomia vendase pritet të rritet me 3.4% këtë vit, me një rishikim në ulje prej 0.1 pikë përqindje në krahasim me vlerësimin e muajit shkurt.

Shqipëria renditet në listën e vendeve ku ushqimet dhe energjia zënë një peshë të rëndësishme në shportën konsumatorë, sidomos ushqimi, që zë rreth 40%, duke e bërë atë të prekshme ndaj presioneve inflacioniste, ndonëse zhvlerësimi i euros ka ndikuar pozitivisht tek çmimet. BERZH parashikon se Shqipëria mund të përfitojë pozitivisht nga zhvendosja e turistëve si rrjedhojë e Luftës.

Sipas raportit, Rritja ekonomike në Shqipëri u ngadalësua nga 4.0% në vitin 2024 në 3.8% në vitin 2025. Administrata publike, pasuritë e paluajtshme, TIK-u dhe ndërtimi ishin nxitësit kryesorë të rritjes, ndërsa industria dhe bujqësia u tkurrën, të ndikuara nga forcimi i lekut, kërkesa e dobët e jashtme dhe rritja e pagave, që rënduan mbi konkurrueshmërinë.

Nga ana e kërkesës, rritja u mbështet nga konsumi qeveritar dhe eksportet e shërbimeve, ndërsa eksportet e mallrave ranë. Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua ndjeshëm në 0.7% të PBB-së, i ndihmuar nga turizmi dhe remitancat e forta, ndërsa investimet e huaja direkte mbetën përgjithësisht të pandryshuara dhe të përqendruara në pasuri të paluajtshme dhe ndërmjetësimin financiar. Turizmi mbeti i fortë edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa konsumi i familjeve vijoi të përfitonte nga rritjet e pagës minimale.

Inflacioni, në 2.6% në mars 2026, ka qëndruar brenda objektivit të bankës qendrore, ndërsa goditjet nga çmimet e karburanteve janë zbutur pjesërisht nga ulja e akcizave dhe kufizimet e çmimeve. Norma bazë e interesit e bankës qendrore ka mbetur e pandryshuar që nga mesi i vitit 2025, në 2.5%.

Deficiti fiskal u rrit në 1.8% të PBB-së në vitin 2025, por mbeti nën pritshmëri, ndërsa borxhi publik ra në 53% të PBB-së në fund të vitit.

Rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.4% në vitin 2026 dhe 3.5% në vitin 2027, e mbështetur nga investimet dhe reformat në kuadër të negociatave të anëtarësimit në BE. Presionet mbi konkurrueshmërinë e jashtme, rreziqet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë, të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme, përbëjnë rreziqe negative. Megjithatë BERZH thotë se këto efekte  mund të zbuten pjesërisht nga zhvendosja e flukseve turistike nga disa vende më pranë konfliktit./ Monitor/