Shqiptarët nuk duhet t’i kundërshtojnë investimet amerikane në trojet shqiptare
Nga Harry Bajraktari
Shqiptarët nuk duhet t’i kundërshtojnë investimet amerikane në trojet shqiptare!
Përkundrazi, ne duhet të bëjmë çmos që të kemi investime amerikane jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës.
Investimi i planifikuar nga vajza e Presidentit amerikan, Ivanka Trump, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, në Ishullin e Sazanit, është një investim shumë i qëlluar që do të sjellë zhvillim ekonomik, do të nxisë edhe investitorë të tjerë që të investojnë në trojet shqiptare, do të krijojë vende të reja pune, do të hapë mundësi të reja për rininë tonë, si dhe do të ndikojë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit për mbarë shqiptarët në Ballkan. Aty do të vijnë turistë nga e gjithë bota, personalitete të rëndësishme, njerëz të fuqishëm e me ndikim. Ky investim e vendos Shqipërinë në hartën e zhvillimit dhe turizmit global.
Këto nuk janë investime nga Rusia apo Kina. Këto janë investime amerikane, nga vendi që ka qenë mbështetësi më i madh i lirisë, demokracisë dhe sigurisë së shqiptarëve dhe miku më i madh i popullit tonë. Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar pranë popullit shqiptar në momentet më të rëndësishme të historisë sonë. Sa më të forta të jenë lidhjet ekonomike me Amerikën, aq më e fortë do të jetë miqësia mes popullit shqiptar dhe atij amerikan.
Unë jam për mbrojtjen e mjedisit, por ruajtja e natyrës dhe investimet serioze amerikane nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Ne mund t’i bëjmë të dyja.
Për pesëdhjetë vjet, izolimi i Shqipërisë nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës nuk i solli asnjë të mirë popullit shqiptar. E ardhmja jonë nuk është izolimi. E ardhmja jonë është hapja dhe bashkëpunimi me botën demokratike, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komuniteti shqiptaro-amerikan angazhohet çdo ditë për të forcuar urat midis shqiptarëve dhe Amerikës dhe punon vazhdimisht për të sjellë investitorë amerikanë në trojet shqiptare. Si rezultat i këtij angazhimi, vetëm para pak ditësh, në Prishtinë kishim Konferencën e Investitorëve Amerikanë.
Uroj që investimi i familjes Trump dhe Kushner në Shqipëri të jetë vetëm fillimi i një kapitulli të ri të investimeve amerikane në trojet shqiptare.
Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe popullin shqiptar.