EMRAT/ Identifikohen dy viktimat e tragjedisë në Shëngjin, 5 shokët i mori dallga
Janë identifikuar dy të rinjtë që humbën jetën në tragjedinë e ndodhur në bregdetin e Shëngjinit, pasi u morën nga dallgët e forta teksa po laheshin në det.
Viktimat janë Leonid Alia nga Fushë Kosova dhe Jetmir Çopa nga Prishtina. Të dy ndodheshin në bregdet së bashku me tre të rinj të tjerë, kur u përfshinë nga rrymat e forta detare.
Si pasojë e ngjarjes, Leonid Alia dhe Jetmir Çopa humbën jetën, ndërsa tre shokët e tyre u nxorën nga deti falë ndërhyrjes së qytetarëve me Jet Ski dhe shërbimeve të Policisë.
Të mbijetuarit u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin ndihmë mjekësore. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që tronditi Shëngjinin.
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.