SYRI TV/ Dosja e ndarë ‘Veliaj’, SPAK jep pretencën: Kërkon burg vetëm për Elman Abulen

Prokuroria e Posaçme dha pretencën këtë të mërkurë për të pandehurit e gjykuar me procedurë të shkurtuar për dosjen “Veliaj”. Vetëm për biznesmenin Elman Abule u kërkua dënimi me burg dhe, përkatësisht, me 7 vite heqje lirie, që i zbret në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për ish-deputeten Klotilda Bushka u kërkua gjobitja me 600 mijë lekë të reja, ndërsa për të tjerët u kërkuan shërbim prove, punë në komunitet dhe gjoba.

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për të pandehurit e dosjes së ndarë “Veliaj”, të cilët po gjykohen me procedurë të shkurtuar. Në konkluzionet përfundimtare, prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani dënimin me burg e kërkuan vetëm për biznesmenin Elman Abule, ku nga 7 vite sipas pretencës, i ulet në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjatë seancës, atij iu rrëzua kërkesa për moskompetencë dhe pati kundërshtime, ku tha se kurrë nuk ka marrë një tender publik dhe e konsideroi të pabazuar akuzën. Ndërkohë, për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka u kërkua dënimi me 600 mijë lekë gjobë, që nëse miratohet, i zbret në 400 mijë lekë të reja, teksa akuzohet për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Në përmbledhje të kërkesave përfundimtare të SPAK, për të pandehurit e tjerë u kërkua si më poshtë: shërbim prove për 5 vite ndaj Ina Goxhajt, punë në interes publik për biznesmenin Fatmir Bektashi, shërbim prove për Fatjon Baçin dhe Frosina Bollon, ndërsa për Flutura Xhanin u kërkua të gjobitet me 40 mijë lekë të reja. Ndërsa për Adela Kondakçiun, që për veprat penale për të cilat u mor e pandehur do të duhej të dënohej me 7 vite burg, që i zbriste në 4 vite e 8 muaj, përjashtohet nga dënimi për shkak se mori statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë.

SPAK kërkoi të gjobiten edhe kompanitë që u akuzuan në këtë dosje dhe, përkatësisht, për Ramental SHPK 18 milionë lekë, 800 mijë lekë për Kontakt SHPK dhe 500 mijë lekë për Organizatën Jofitimprurëse Frobolus.

Tashmë pritet që në javët në vijim mbrojtja e të pandehurve të bëjë kundërshtimet e saj para se gjykata e posaçme të shprehet përfundimisht. Gjykimi i dosjes u nda para disa javësh, teksa Erion Veliaj, që ka 13 akuza, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, disa biznesmenë, zyrtarë dhe shoqëri po gjykohen me procedurë të zakonshme.