Højlund zyrtarisht i Napolit, klubi blen përfundimisht sulmuesin
Napoli ka zyrtarizuar blerjen përfundimtare të sulmuesit Rasmus Højlund, duke e bërë atë plotësisht pjesë të projektit të klubit napolitan.
Klubi italian njoftoi përmes kanaleve zyrtare se janë përmbushur kushtet për transferimin e plotë të kartonit të lojtarit nga Manchester United.
Në deklaratën e publikuar, Napoli konfirmon se Højlund, i cili mban fanellën me numër 19, ka lënë gjurmë të menjëhershme që nga ardhja e tij. Ai debutoi me gol në ndeshjen ndaj Fiorentinës, të fituar 3-1 në “Franchi”.
Gjatë periudhës së tij te Napoli, sulmuesi danez ka regjistruar 44 paraqitje dhe 16 gola, duke u bërë një element i rëndësishëm i repartit ofensiv.
Ai gjithashtu ka kontribuar në suksesin e arritur në Superkupën e Italisë, duke shënuar në gjysmëfinalen e fituar ndaj Milanit.
“Urime, Rasmus!”, mbyllet njoftimi i klubit, duke konfirmuar përfundimisht që Højlund tashmë është pjesë e Napolit në mënyrë të plotë dhe afatgjatë.