Metoda e çmendurisë: Pse Trump do që ju të mendoni se ai është i çmendur
Nga Craig Anderson/
Presidenti Donald Trump tha se mund të qëllonte dikë në Fifth Avenue dhe të mos humbiste asnjë votues. Media e quajti hiperbolë. Kundërshtarët e tij e quajtën provë për çmenduri. Mbështetësit e tij e quajtën një të martë të zakonshme.
Të gjithë e humbën thelbin.
Trump nuk po mburrej. Ai po shpjegonte teorinë e tij të pushtetit. Teoria është e thjeshtë: Rregullat nuk vlejnë për të, sepse ai i ka bindur të gjithë, si aleatë ashtu edhe armiq, se ai nuk luan sipas asnjë rregulli.
Ai nuk është i çmendur, por strategjik. Dhe strategjia po funksionon.
Absurditeti si mburojë
Trump thotë gjëra që asnjë politikan normal nuk do t'i thoshte, sepse ai kupton diçka që politikanët normalë nuk e kuptojnë. Politikanët normalë kufizohen nga frika se mos duken qesharakë. Trump jo. Ai e ka kthyer absurditetin në armë.
Kur ai kërkoi ndalimin e hyrjes së të gjithë myslimanëve në vend, media u zemërua. Kundërshtarët e tij u tmerruan. Mbështetësit e tij ngritën supet. Politika nuk u zbatua kurrë. As nuk ishte e nevojshme. Qëllimi nuk ishte ndalimi i myslimanëve, por të tregonte se ai ishte i gatshëm të thoshte atë që askush tjetër nuk do ta thoshte. Pikërisht ky demonstrim ishte mesazhi.
Mesazhi është gjithmonë i njëjtë: Nuk kam frikë. Nuk më intereson çfarë mendoni ju. Do të them çfarë të dua. Dhe ju nuk s'më ndaloni dot.
Kjo nuk është çmenduri, por shfaqje e kalkuluar e guximit.
Kundërthënia si konfuzion
Trump e kundërshton veten vazhdimisht, ndonjëherë edhe brenda të njëjtës fjali. Kundërshtarët e tij i mbledhin këto kundërthënie si trofe dhe i paraqesin si prova të paaftësisë së tij. Gabohen.
Kur Trump thotë një gjë të hënën dhe të kundërtën të mërkurën, kundërshtarët e tij e kalojnë të martën dhe të enjten duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë “beson ai vërtet”. Shkruajnë analiza, mbajnë mbledhje strategjike dhe lodhen duke u përpjekur të pajtojnë të papajtueshmen.
Trump nuk bën asgjë. Ai pret. Kalon te kundërthënia tjetër. I lë kundërshtarët të shterojnë energjitë duke ndjekur një qëndrueshmëri që nuk ekziston.
Kjo është strategjia e “bombardimit me informacion” në formën e saj më të pastër: mbush hapësirën me aq shumë zhurmë kundërthënëse saqë opozita nuk mund të përqendrohet te asnjë kërcënim i vetëm.
Pse i pëlqen të quhet i çmendur
Trump e quan veten të çmendur, duke e përqafuar etiketën dhe duke e mbajtur si medalje.
Ky është pozicionim strategjik. Kur kundërshtarët kanë kaluar vite të tëra duke të quajtur të çmendur, ke dy mundësi. Mund të mbrohesh, gjë që e legjitimon këtë kornizë dhe të detyron të luash në mbrojtje. Ose mund ta përvetësosh etiketën, duke e çarmatosur sulmin dhe duke kaluar sërish në ofensivë.
Trump e pranon, sulmi humbet forcën dhe arma bëhet e padobishme.
Kurthi në të cilin demokratët vazhdojnë të bien
Demokratët kanë kaluar gati një dekadë duke u përpjekur të provojnë se Trump është i çmendur, i papërshtatshëm, i rrezikshëm dhe i padenjë për presidencë. Kanë mbledhur prova, kanë paraqitur argumente ligjore dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të mbështeten te mirësjellja, normat dhe shteti ligjor.
Asgjë nga këto nuk ka funksionuar. Jo sepse provat janë të dobëta, por sepse strategjia e keqkupton lojën.
Trump nuk kandidon për president të një klase edukimi qytetar. Ai kandidon për president të një vendi ku gjysma e popullsisë ka pushuar së besuari tek institucionet, ka humbur besimin te media dhe e sheh politikën si një sport ekipesh ku e vetmja gjë që ka rëndësi është fitorja.
Demokratët vazhdojnë të përpiqen t'i bëjnë thirrje një realiteti të përbashkët që nuk ekziston më. Trump e ka kuptuar këtë përpara kujtdo tjetër.
E vërteta e hidhur
Trump nuk është i çmendur. As budalla. Nuk është një njeri i kaosit pa plan. Ai ka një plan dhe ai plan ka funksionuar për gati një dekadë. Dhe kundërshtarët e tij ende nuk e kuptojnë.
Plani është i thjeshtë:
1. Thuaj gjëra që tronditin ndërgjegjen dhe dominojnë ciklin e lajmeve.
2. Kundërshto vazhdimisht veten për ta mbajtur opozitën të hutuar.
3. Përqafo çdo sulm, duke i kthyer armët e kundërshtarëve në zbukurime.
4. Përsërite derisa opozitës t'i shterojnë energjitë.
5. Fito.
Derisa demokratët të kuptojnë se cila është loja e vërtetë eTrump-it, ata do të vazhdojnë të humbasin dhe Trump do të vazhdojë të fitojë. /Washington Examiner – Syri.net