E kryer/ Manchester United arrin marrëveshje me zëvendësuesin e Casemiros
Manchester United ka arritur marrëveshje me Atalantën për transferimin e mesfushorit Éderson, sipas raportimeve të “The Athletic”. Futbollisti brazilian, 26 vjeç, do të transferohet në “Old Trafford” për një shumë fikse prej 40.5 milionë eurosh, së cilës mund t’i shtohen edhe 4.5 milionë euro bonuse të lidhura me objektivat.
Kushtet personale të kontratës janë përcaktuar tashmë dhe parashikojnë një marrëveshje deri në qershor të vitit 2030, me opsion rinovimi edhe për 12 muaj të tjerë. Megjithatë, përfundimi i transferimit varet ende nga vizitat mjekësore, ndërsa të gjitha palët synojnë që marrëveshja të zyrtarizohet në fillim të korrikut.
Éderson prej kohësh kërkohej nga disa klube të mëdha evropiane, por ai i dha përparësi Manchester United, thekson i njëjti burim. Fakti që kontrata e tij përfundonte në verën e vitit 2027 i lejoi klubit anglez të negocionte një shumë dukshëm më të ulët nga ajo që ishte përfolur më herët në merkato.