Përdhunoi infermieren e Michael Schumacher-it kur ishte pa ndjenja, ish-miku i Ralf Schumacher-it del në gjyq
Një çështje e rëndë ka tronditur botën e automobilizmit, pasi piloti australian, Joey Mawson, po përballet me akuza për përdhunim në Zvicër. Sipas medieve ndërkombëtare, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2019 në rezidencën e legjendës së Formulës 1, Michael Schumacher, pranë liqenit të Gjenevës.
Sipas dosjes së prokurorisë, Mawson akuzohet se ka përdhunuar dy herë një infermiere të familjes Schumacher, e cila thuhet se ishte pa ndjenja pas një feste private në vilë. Gruaja ka deklaruar se ishte zgjuar më pas në shtrat me çarçafë të përgjakur.
Piloti australian i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke pretenduar se marrëdhënia mes tyre kishte qenë konsensuale dhe se ata njiheshin prej kohësh. Ai ka deklaruar gjithashtu se më parë kishin shkëmbyer edhe afrimitet në një klub nate në Gjenevë, gjë që infermierja e ka mohuar.
Sipas raportimeve nga gjykata në Nyon-it të Zvicrës, asnjë anëtar i familjes Schumacher nuk është i përfshirë në këtë çështje dhe ata nuk ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes së pretenduar.
Në dokumentet e prokurorisë thuhet se infermierja ishte ndier keq pas konsumimit të disa pijeve gjatë mbrëmjes dhe ishte dërguar në dhomë nga kolegët e saj. Më pas, sipas akuzës, Mawson është kthyer në dhomë dhe ka kryer aktin seksual ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
Gjykimi ndaj pilotit australian kishte nisur edhe më herët, por ishte shtyrë pasi ai nuk ishte paraqitur në seancën e kaluar. Avokatët e tij kanë argumentuar se mungesa ishte e lejuar nga ligji zviceran.
Mick Schumacher dhe Joey Mawson kanë qenë miq të afërt dhe rivalë në garat e moshave të reja, ndërsa australiani dikur konsiderohej një talent premtues në rrugën drejt Formulës 1.