Rama flet mbi hetimet për Zvërnecin: S’ka asnjë dyshim mbi financimin
Kryeministri Edi Rama ka folur për projektin e Zvërnecit, gjatë konferencës me Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa. Teksa, Prokuroria po heton pronarin në dokumente të tokës, Artur Shehu, një personazh i akuzuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës, kryeministri u shopreh se hetimi është hap pozitiv pasi do të sqarojë se cilët janë pronarët real të kësaj sipërfaqe, të cilët në fund do të marrin edhe kompensimin e caktuar për zbatimin e këtij projekti.
SYRI TV
Për lajmin e publikuar në media, se SPAK po heton edhe transaksionin financiar për blerjen e tokës, ku u përmendet sekuestrimi i llogarive bankare të kompanisë “Albania Land Development” dhe administratorit të kompanisë, Redi Struga, kryeministri u fut deri në detaje të transaksionit duke pohuar se pagesat e bëra janë legjitime dhe të transferuara nga institucione financiare ndërkombëtare.
I pyetur mbi këtë çështje, investimet e huaja dhe mbrojtjen e mjedisit Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa u shpreh se BE është në kontakt me institucionet shqiptare në përafrimin e legjislacionit dhe zbatimit, edhe për këto sektorë.
Duke komentuar protestat e qytetarëve, kryeministri Edi Rama u shpreh se projekti nuk do të ndalet për sa kohë ai do të jetë kryeministër, duke theksuar se ndikimi në ekonomi dhe turizëm i këtij projekti do të ketë ndikime të mëdha.