Rafael Leão drejt largimit nga Milani, i është ofruar gjigantit anglez

Sulmuesi portugez, Rafael Leão pritet të ndryshojë kampionat gjatë verës, pas Kupës së Botës 2026, pasi ka konfirmuar se dëshiron të largohet nga Milani dhe të nisë një kapitull të ri në karrierë.

Sipas raportimeve të “The Times”, 26-vjeçari është ofruar tashmë tek Arsenali, me klubin anglez që po e shqyrton seriozisht mundësinë për ta pasur në skuadër. Interesi i “Topçinjve” nuk është i ri, pasi Leão prej kohësh është lidhur me një transferim në Angli.

Vetë lojtari ka bërë të qartë publikisht dëshirën e tij për t’u larguar nga Italia. Në një deklaratë për “Sport TV”, ai u shpreh se ndihet gati për një sfidë të re jashtë Serisë A.

“Jam krenar që kam bërë histori me Milanin, por dua një kapitull të ri. Ndihem gati të luaj në një tjetër kampionat. Kam dhënë maksimumin për Milanin, por tani është koha për një sfidë të re”, ka deklaruar ai.

Sipas të njëjtave burime, vlera e kartonit të tij llogaritet rreth 50 milionë euro, duke u ndikuar edhe nga fakti se Milani do të luajë në UEFA Europa League në sezonin e ardhshëm, pas mungesës në Champions League.

Arsenali kërkon të forcojë repartin ofensiv, sidomos pas zhgënjimit në finalen e UEFA Champions League, dhe emri i Leãos është vendosur në krye të listës së objektivave.

Sulmuesi i ardhur nga Sportingu dhe Lille ka qenë prej kohësh në radarët e klubeve angleze, me Chelsea dhe Manchester United që në të kaluarën kanë shfaqur gjithashtu interes për shërbimet e tij.